Lidhje

Caktohet afat në krizën nigeriane të pengjeve


Grupi i armatosur nigerian i cili po mban peng 4 shtetas të huaj që punojnë në sektorin e naftës caktoi një afat 48 orësh për plotësimin e kërkesave.

Përmes telefonatave dhe e-mailit për agjencitë e lajmeve, grupi që e quan veten Lëvizja për Emancipimin e Deltës së Nigerit, thotë se dëshiron që kontrollin mbi naftën rajonale ta kenë zyrtarët vendorë. Po ashtu ai kërkon që firma daneze Royal Dutch Shell të paguajë 1 presje 5 miliardë dollarë për të kompensuar për ndotjen e mjedisit dhe që qeveria e Nigerisë të lirojë tre të burgosur.

Grupi ka kërcënuar t’i shkallëzojë sulmet kundër objekteve të naftës në se kërkesat e tyre nuk plotësohen. Pas marrjes së pëengjeve javën e kaluar, ky grup hodhi në erë një tubacion të firmës Shell dhe sulmoi një stacion pompimi të po kësaj firme.

Katër pengjet janë një amerikan, një britanik, një bullgar dhe një honduras.

Ndërkohë çmimet e naftës arritën dje çmimin më të lartë të tre muajve të fundit në bursën e Nju Jorkut. Çmimi arriti në 66 dollarë e 40 cent për fuçi.

Investitorët thonë se janë të shqetësuar se tensionet në Iran dhe Nigeri mund të dëmtojnë rezervat e naftës, ndërsa ekspertët parashikojnë që kërkesa për naftë do të shtohet.

Irani dhe Nigeria prodhojnë rreth 7 presje 5 përqind të naftës në botë.

XS
SM
MD
LG