Lidhje

Human Rights Watch publikon raportin për të drejtat e njeriut nëpër botë


Organizata Human Rights Watch me seli në New York nxori sot raportin e saj vjetor mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në shkallë botërore.

Në raport kritikohet ashpër qeveria amerikane për ato që cilësohen si politika të qëllimshme të keqtrajtimit të personave të dyshuar për terrorizëm. Në raport thuhet se për keqtrajtimet nuk mund të fajësohen një grup ushtarësh të rangut të ulët.

Raporti thekson se lejimi i torturave dhe i keqtrajtimeve të tjera nga administrata e presidentit Bush në kuadër të luftës kundër terrorizmit e ka dëmtuar kauzën e të drejtave të njeriut në gjithë botën si dhe besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, hodhi poshtë përfundimet e raportit, duke thënë se ato duket se janë me motive politike dhe jo të mbështetura në fakte. Ai tha se Shtetet e Bashkuara ndihmojnë më shumë se çdo vend tjetër për përparimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut nëpër botë.

Human Rights Watch i bën thirrje Presidentit Bush të caktojë një prokuror të posaçëm për të shqyrtuar abuzimin e të pandehurve gjatë hetimeve. Në raportin e këtij viti, Human Rights Watch nuk e ka përfshirë Shqipërinë.

Një zyrtar i kësaj organizate i tha Zërit të Amerikës se jo të gjithë vendet e botës përfshihen në raportet vjetore dhe se nuk ka ndonjë arsye të veçantë për mospërfshirjen e Shqipërisë këtë vit.

Për sa i përket Kosovës, raporti vë në dukje se gjendja e të drejtave të njeriut atje mbetet e zymtë. Pasiguria dhe mungesa e lirisë së lëvizjes për pakicat, veçanërisht ato serbe dhe rome, mangësitë e sistemit të drejtësisë dhe diskriminimi në shkallë të gjerë janë probleme serioze.

Kthimi i personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatëve serbë në shtëpitë e tyre në Kosovë ka ngecur. Megjithëse niveli i krimeve ndëretnike ra gjatë 2005, shumë organizata që punojnë me pakicat dyshojnë se kjo rënie është thjesht pasqyrim e një ndarjeje më të theksuar dhe mungesës së komunikimit mes komuniteteve, që nga përleshjet mes shqiptarëve dhe sërbëve dhe trazirave në shkallë të gjerë më mars të vitit 2004.

Edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë thekson raporti lë shumë për të dëshiruar. Paaftësia për të nxjerrë para drejtësisë shumë nga ata që janë përgjegjës për krime serioze ka krijuar një atmosferë amull.//rd//

XS
SM
MD
LG