Lidhje

Agjencia për Energji Atomike, sesion urgjent për çështjen e Iranit


Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike njoftoi se do të mbajë një sesion urgjent më 2 shkurt për të dëgjuar argumentat evropiane në mbështetje të propozimit për t’ia paraqitur çështjen e programit bërthamor të Iranit Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Këshilli i Sigurimit mund të vendosë sanksione nëse arrin në përfundimin se me programin e tij bërthamor, Irani ka shkelur traktatet ndërkombëtare.

Evropianët e kërkuan këtë sesion urgjent pasi Teherani i dha fund në fillim të këtij muaji moratoriumit 2 vjeçar për kërkimet në fushën bërthamore. Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin se po e shfrytëzon punën kërkimore për të prodhuar armë bërthamore. Teherani këmbëngul se synimet e tij bërthamore janë paqësore.

Po dje, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, tha se Irani nuk po përpiqet të prodhojë armë bërthamore.

Ai tha se përpjekjet për të prodhuar armë bërthamore bien në kundërshtim me mësimet e fesë islame dhe kërcënojnë interesat politike dhe ekonomike të vendit. Ajatollahu tha gjithashtu se qeveritë perëndimore nuk mund të ndikojnë vullnetin e kombit iranian.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë thtoë se Presidenti Bush zhvilloi dje një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, rreth ambicjeve bërthamore të Iranit.

XS
SM
MD
LG