Lidhje

Tiranë: Bamir Topi dhe Pandeli Majko mbi debatin e partive të vogla për komisionin zgjedhor


Në Shqipëri vendimi i sotëm i parlamentit për ngritjen e komisonit për reformën zgjedhore u kundërshtua me forcë nga 10 partitë e vogla të të dy krahëve. Mënyra e funksionimit të komisionit ishte përcaktuar pas një marrëveshje mes Partisë demokratike dhe Partisë socialiste të cilat së bashku zotërojnë shumicën e anëtarëve të komisioinit. Partitë e vogla e kundërshtojnë këtë pikë. Ato braktisën sallën e parlamentit si dhe paralajmërojnë mospjesmarrjen në komisionin zgjedhor. Në emisioni Ditari, i morrëm këtë intervistë kryetarëve të gupeve parlamentare të Partisë Demokratike, Bamir Topi dhe të Partisë Socialiste, Pandeli Majko.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, le të merremi me konfliktin e lindur sot me partitë e vogla, sipas jush sa e drejtë është protesta e tyre?

Bamir Topi: Në fakt e gjithë puna në parlament ka ardhur si pasojë e një takimi në presidencë, ku të gjitha partitë politike parlamentare shprehën domosdoshmërinë e bashkëpunimit për reformimin e kodit zgjedhor. Në tryezën e presidentit të gjithë shprehën vullnetin politik që të jenë pjesëmarrës në këtë proces të rëndësishëm natyrisht dhe delikat. Por nga pikëpamja proceduriale gjithçka do të realizohej në parlament pasi është parlamenti ai që merret me hartimin e ligjeve, me reformimet e kodit zgjedhor i cili tashmë duket që është i tejkaluar. Nisur nga ky vullnet pozitiv i shprehur Partia Demokratike morri rolin e interlokutorit duke marrë pjesë në negociata të vazhdueshme me të gjitha partitë politike parlamentare duke futur në draft një pjesë të propozimeve pasi një pjesë propozimeve të tjera erdhi si rezultat i objeksioneve që kishin grupet e tjera parlamentare. Së pari ne qemë të vëmendëshëm për të futur në komisionin për reformën zgjedhore jo grupet parlamentare pasi një pjesë e partive politike në parlament nuk përfaqësohen me grup parlamentar, por menduam që të fusim në komision të gjithë përfaqësuesit e partive politike parlamentare ç’ka do të thonte një plotësim i angazhimit të marrë në tryezën e presidentit.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ishit ju që propozuat formulën e përbërjes së komisionit dhe vendimarrjes. Ndërsa para disa javësh kishit propozuar që edhe partitë e vogla të kishin të drejtën e vetos, sot keni hequr dorë. Përse, a ka të bëjë kjo me një farë hakmarrjeje të themi ndaj LSI-së?

Pandeli Majko: Nuk mendoj që LSI-ja përfaqëson të gjitha partitë e vogla në Shqipëri apo interesat e partive të vogla. Megjithatë për një gjë mund t'u siguroj që Partia Socialiste në asnjë rast nuk i përdor votat e veta për t'i bashkuar me PD-në apo kundër një pale të tretë. Kështu që mendoj që qëndron larg çdo dyshimi fakti që Partia Socialiste mund të ketë orientuar politika të natyrava hakëmarrëse. Në të kundërt, mendoj që me mënyrën sesi propozuam dhe orientuam ngjarjet për krijimin e këtij komisioni i cili është thjesht, nisja proceduriale e diskutimit të një reforme kaq të rëndësishme siç është ajo e zgjedhjeve, ne vetëm kemi garantuar të drejtën e opozitës në vendimmarrje. Kush nuk e shikon veten brenda të drejtës sonë si përfaqësuese të opozitës, mendoj që ne do të ishim të hapur të koordinonim edhe me parti të tjera të vogla. Por mendoj që në rastin përkatës bëhet fjalë për pakënaqësinë e partive të vogla të cilat dëshirojnë të shprehin sa më qartë interesat e tyre në komisionin parlamentar. Sigurisht nuk mendoj që gjithmonë do të jemi të aftë të kënaqim të gjitha partitë parlamentare në parlamentin shqiptar por mendoj që me një punë serioze, duke garantuar sidomos të drejtën e opozitës rezultati do të jetë pozitiv.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, a mendoni ju se duhet të rinegocioni me partinë socialiste mbi komisionin zgjedhor dhe a është i mundur një rishikim i marrëveshjes së arritur?

Bamir Topi: Unë mendoj se ajo që ndodhi sot në kuvend ishte më shumë një reagim i çastit pasi në negociatat e vazhdueshme që kemi realizuar deri mbrëmë (18 janar), të gjithë në përgjithësi binin dakort me mënyrën e kompozimit të këtij komisioni por natyrisht unë e di që kontestimi erdhi kryesisht nga mungesa e vendosjes në draftin e dytë të së drejtës së vetos së tretë nga partitë e vogla, të cilat parashikoheshin që në se kishin një kontestim unanim ato mund të përdornin veton. Gjithësesi, Partia Demokratike e ka shprehur edhe sot vullnetin pozitiv që të mos përdorë asnjëherë veton për rekomandimet që vijnë nga OSBE-ja dhe ODHIR-i, dhe e dyta do të ishte e hapur që në komision të gjitha vendimet të merreshin në mënyrë proporcionale duke respektuar numrin e deputetëve në parlament, çfarë do të thotë respektimi i vetos për Partinë Socialiste e cila në historinë politike dhe pluralizmit ja ka dhënë këtë mundësi Partisë Demokratike në të kaluarën por njëkohësisht duke njohur edhe mundësinë e vetos së tretë për partitë e vogla të cilat realisht e kundërshtuan në mënyrë publike kur e morrën këtë propozim nëpërmjet draftit të paraqitur nga ana ime në parlament në fund të dhjetorit. Sidoqë të jetë, ne kemi shprehur sot pasdite një gadishmëri që partitë e koalicionit të djathtë të jenë më bashkëpunuese me qëllim që reagimi të jetë më i pranueshëm edhe në rastet kur kontestohet diçka të mos jetë në esencë por të jetën në elementë sekondarë. Gjithsesi kam rastin të shprehem që ne mbetemi të hapur që reforma zgjedhore të mos i shërbejë vetëm një partie por t’i shërbejë të gjitha partive politike dhe në radhë të parë shoqërisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, e njëjta pyetje për ju, a e shikoni ju të mundur rishikimin e marrëveshjes së arritur?

Pandeli Majko: Përsa i përket problemit të vetos së partive të vogla, dëshiroj të them që ky ka qënë një propozim i Partisë Socialiste, por mënyra sesi ky propozim i joni, kjo ofertë e jona u kundërshtua do të thosha mjaft egërsisht në disa raste nga disa parti të vogla, ne na bëri të painteresuar. Në qoftëse sot ata kanë ndryshuar mëndje ky është një problem tjetër. Gjithsesi unë dëshiroj të them edhe njëherë që ne sot kemi garantuar të drejtën e opozitës për të patur një proces sa më të drejtë dhe sa më të qartë nga pikëpamja proceduriale, sepse nuk bëhet në asnjë rast fjalë për një marrëveshje politike, bëhet fjalë që sot është arritur në parim midis PS-PD një marrëveshje proceduriale për mënyrën sesi do të procedohet përsa i përket ecurisë së reformës në sistemin zgjedhor.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, rekomandimet e OSBE-ODHIR-it do të jenë baza e punës së komisionit. Çfarë duhet bërë sipas jush për të shmangur problemet që kanë dalë vazhdimisht në zgjedhje, veçanërisht ato me listat e votuesve?

Bamir Topi: Unë mendoj që pika e parë e draftit i cili u miratua sot në kuvend kishte të bënte pikërisht me angazhimin për të respektuar thellësisht gërmë për gërmë rekomandimet e OSBEsë dhe ODHIRit, ç’ka do të thotë që e imponojnë Partinë Demokratike që të shprehej publikisht që në mënyrë absolute nuk do të përdorte të drejtën e vetos në se kishte rekomandime nga ana e këtyre dy organizmave mjaft të rëndësishëm. Së pari, pozicionimi politik kërkon pastaj dhe diskutimi çështje për çështje të elementëve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe në rradhë të parë të listës së zgjedhjeve. Qeveria shqiptare është angazhuar kohët e fundit që do të merret në mënyrë intensive dhe sipas kuadrit ligjor me problemin e kartave të regjistrimit, me problemin e listave në një bashkëpunim edhe me pushtetin vendor në mënyrë që të garantohet qysh në bazament funksionimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Natyrisht procesi është mjaft kompleks. E rëndësishme është të demonstrohet që mbi bazën e një vullneti politik të shprehur, edhe gjërat e tjera kanë mundësi të realizohen në një vend i cili është realisht në nevojën e domosdoshme, jo vetëm për reformimin e kodit zgjedhor por edhe për reformimin e dukshëm të infrastrukturës zgjedhore.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju propozuat që të mos preket kushtetuta. Ky komision sipas jush, duhet të merret edhe me çështje të tjera të reformës që nuk janë të lidhura me zgjedhjet për pushtetin vendor, apo duhet të fokusohet vetëm në këtë pikë?

Pandeli Majko: Ne kemi insistuar, dhe kjo është thjesht një moment procedurial do të thosha mbi të gjitha. Prekja e kushtetutës kërkon një mënyrë tjetër proceduriale, kërkon një komision tjetër sepse do të bëhet fjalë për reformë kushtetuese. Në se do të kemi një reformë kushtetuese, atëhere ne e kemi shprehur qartë mendimin tonë që ne nuk jemi të mbyllur. Jemi të hapur për negociata, ky është thelbi i të bërit politikë tek e fundit, dhe nëse do të diskutohet për një reformë kushtetuese edhe sikur të prekim qoftë edhe një nenë të saj kjo do të kërkojë edhe një procedurë teknikisht më vete. Kështu që ky komision që është ngritur, për ne ka të bëjë thjesht dhe vetëm me reformën zgjedhore, me rishikimin, me ndjekjen e situatës, me rishikimin e kodit zgjedhor për të mos lejuar të rikthehen apo të rishfaqen fenomene të cilat ne i kemi parë shumë qartë, sidomos në zgjedhje të tilla emblematike si ajo e vitit 1996 e kështu me radhë. Duhet të kemi zgjedhje të cila të ofrohen si zgjidhje dhe jo si një problem më vete.

//rd//

XS
SM
MD
LG