Lidhje

Sfidat para Maqedonisë: Statusi i Kosovës dhe integrimi euroatlantik


Komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë parasysh se përcaktimi i statusit të Kosovës mund të ketë një ndikim të madh tek një vend i vogël si Maqedonia, paralajmëron presidenti i Alternativës Demokratike të Maqedonisë, Dr. Vasil Tupurkovski, në një diskutim të zhvilluar në qendrën Wilson në Uashington. Zoti Tupurkovski thekson si faktor garantues të qëndrueshmërisë në Maqedoni dhe rajon, angazhimin serioz të perëndimit për integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike:

Pavarësia e Kosovës është jo vetëm e pashmangshme, por edhe e logjikshme, thekson Dr. Tupurkovski, dhe Shkupi e ka pranuar një zgjidhje të tillë të statusit: "Kosova do të marrë pavarësinë. Për shumë kohë në Maqedoni nuk pranohej kjo mundësi. Tani ky është opinioni zyrtar i qeverisë dhe ky është një opinion i justifikueshëm, pasi nuk mendoj se është e imagjinueshme që Serbia të rimarrë sovranitetin, ndërkohë që aktualisht në Kosovë nuk ka institucione të Serbisë, nuk ka forca ushtarake apo policore të Serbisë. Nuk mendoj se është realiste të mendohet se mund të rikrijohen këto institucione dhe struktura, për të penguar pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që ekziston aktualisht një qeveri e Kosovës, e mbështetur nga prania ndërkombëtare."

Problemi për Dr. Tupurkovskin qëndron në bashkimin në të ardhmen ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, që ai e sheh si një fakt të pashmangshëm. Kjo, thekson Presidenti i Alternativës Demokratike të Maqedonisë, do të krijojë një realitet të ri gjeopolitik në Ballkan që mund të ndikojë ndjeshëm në një vend të vogël si Maqedonia. Por ai shton se çdo tendencë destabilizuese mund të shmanget me një angazhim serioz të perëndimit në zhvillimet e Ballkanit: "Eshtë e mundur të krijohet ky shtet i ri, i cili do të jetë një rezultat i logjikshëm i prirjeve të një kombi për të jetuar i bashkuar, dhe njëkohësisht të shmangen pasojat për vendet e tjera në Ballkan." Kjo, thotë zoti Vasil Tupurkovski, arrihet me garanci serioze për të një ardhme të afërt të Maqedonisë në Nato dhe në Bashkimin Evropian, gjë që do të nxiste investimet dhe do të bëhej faktor stabiliteti dhe begatie në këtë vend.

Investimet janë tepër të nevojshme për Maqedoninë në këto momente, vazhdon Dr. Tupurkovski, duke theksuar se vendi ka përjetuar një keqësim të vazhdueshëm ekonomik, një krizë që përbën rrezikun kryesor që vendi të zhytet në trazira: "Nga pikëpamja ekonomike, Maqedonia është në një krizë të thellë ekonomike, e cila nuk ka karakteristika të një krize të përkohshme, të rastësishme apo karakteristikat e një krize të periudhës së tranzicionit pas komunist. Kjo është tashmë një gjendje e përhershme e ekonomisë në Maqedoni. Kjo gjendje është karakteristika më tipike e Maqedonisë."

Nga pikëpamja politike, theksoi folësi, në pamje të parë Maqedonia duket se është futur në rrugën e duhur, duke qenë se vendit iu njoh edhe statusi i kandidates për antarësim në Bashkimin Evropian. Por vendi është i mbërthyer nga korrupsioni që ka penguar reforma të rëndësishme dhe rrezikon integrimin e mëtejshëm euroatlantik të vendit: "Kur nuk mund të zhvillohen zgjedhje të drejta, nuk mund të ndërtohen struktura pushtetore legjitime. Ky është një problem serioz në Maqedoni. Zgjedhjet problematike nënkuptojnë se nuk mund të ndërtohen institucione demokratike."

Zoti Tupurkovksi përshëndet si një arritje të rëndësishme Marrëveshjen e Ohrit, duke theksuar se ajo i dha fund konfliktit të armatosur, duke rikthyer qëndrueshmërinë në Maqedoni. Por ai shton se marrëdhëniet ndëretnike janë aktualisht edhe më problematike se më parë: "Ndarjen ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve kurrë nuk kanë qenë më të thella. Sot ndeshemi me një realitet kur shqiptarë që e flasin rrjedhshëm maqedonishten nuk pranojnë të flasin maqedonisht. Tani shqiptarët në moshë të re kanë doktrinën se nuk është e nevojshme për ta të flasin maqedonisht. Logjika thotë se meqë duam të arrijmë standartet evropiane, ne duhet të zhvillojmë sistemin dhe strukturën tonë në formën e një shoqërie civile. Kjo shoqëri do t'u ofronte individëve dhe jo grupeve etnike të drejtat bazë. Në këtë mënyrë individët do të gjejnë përfaqësim në bazë të interesave të tyre dhe jo në bazë të interesave të interpretuara kolektivisht, siç po ndodh aktualisht në Maqedoni."

Ky problem do të vazhdojë të ekzistojë dhe do të rritet në Maqedoni, me përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, paralajmëron zoti Tupurkovski. Zhvillimi ekonomik, mirëqënia e qytetarëve dhe begatia e vendit do të shërbente si kundërpeshë ndaj tendencave të radikalizimit etnik. Kjo, thekson Dr. Tupurkovski e bën edhe më urgjente nevojën e përshpejtimit të reformave në mënyrë që vendi të futet seriozisht dhe në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e integrimit euroatlantik.

XS
SM
MD
LG