Lidhje

Kondoliza Rajs: Presidenti Rugova e udhëhoqi popullin e tij në kohë të vështira dhe fitoi respektin e botës


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, i shprehu të shtunën ngushëllimet e saj popullit të Kosovës për vdekjen e Presidentit Ibrahim Rugova.

Përmes një deklarate, Sekretarja e Shtetit thekson se Presidenti Rugova e udhëhoqi popullin e tij në kohë të vështira dhe fitoi respektin e botës, për përpjekjet e tij për demokraci dhe paqe. Edhe në momentet e fundit kur luftonte me sëmundjen, Presidenti Rugova punoi për të sjellë unitet mes udhëheqësve të Kosovës dhe shpresë për popullin e tij”.

“Vdekja e Presidentit Rugova, thuhet më tej në deklaratën e zonjës Rajs, ndodh në një moment kur Kosova ka hyrë në procesin politik për të përcaktuar të ardhmen e saj”.

Zonja Rajs thekson se megjithë humbjen e udhëheqësit, procesi do të vazhdojë. Shtetet e Bashkuara, shton më tej Sekretarja e Shtetit, do të punojnë me të gjithë banorët e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri të bazuar tek parimet e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe toleranca ndër-etnike, që Presidenti Rugova i vlerësonte kaq shumë. //az//

XS
SM
MD
LG