Lidhje

Në Kosovë vdekja e Presidentit Rugova cilësohet humbje e jashtëzakonshme


Presidenti i Kosovës ndërroi jetë të shtunën në orën 11:38 në shtëpinë e vet në Prishtinë. Zëdhënësi i tij Muhamet Hamiti tha se Presidenti Rugova vdiq i rrethuar nga familja dhe mjekët e tij që janë përkujdesuar intenstivisht për të që nga shtatori i vitit të kaluar kur u konstatua se ai vuan nga kanceri në mushkëri.

Vdekja e Presidentit Rugova është pritur me pikëllim të thellë në Kosovë. Intsitucionet ndërkombëtare dhe vendase, si dhe partitë politike zhvilluan takime të jashtëzakonshme me këtë rast. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jesen-Petersen, tha se “ky është një moment dhimbjeje të madhe për Kosovën”. Duke u shprehur ngushëllime të gjithë qytetarëve të Kosovës, ai tha se “Presidenti Rugova kishte besim të palëkundshëm në vizionin e tij për Kosovën, që e ka ndjekur me përkushtim dhe e ka bërë që ai të respektohet jo vetëm nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar”. Është veçanërisht tragjike që Presidenti Rugova na ka braktisur në një moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Nderimi më i madh që mund t’i bëhet Presidentit Rugova është bashkimi gjatë muajve që po vijnë. Gjithësesi, ky është çasti që qytetarët dhe udhëheqësit e Kosovës të qëndrojnë të bashkuar dhe të tregojnë maturi dhe mënçuri që do t’i shërbejë Kosovës, tash dhe në të ardhmen. Presidenti Rugova ishte forcë bashkuese, një udhëheqës i përkushtuar dhe i talentuar, që punoi pa u lodhur për Kosovën deri në ditën e fundit. Ai la pas vetes tarshëgiminë e përkushtimit dhe dialogut dhe gjithmonë do të ketë vend të veçantë në historinë e Kosovës”, tha zoti Jessen-Petersen.

Shefi i zyrës amerikane, Philip Goldberg, duke shprehur pikëllimin tij, theksoi se “Kosova humbi një udhëheqës të dashur dhe SHBA humbinjë mik të vjetër dhe të nderuar. Ai tashmë e ka të siguruar vendin në historinë e Kosovës dhe në zemrat e njerëzve këtu dhe në botë. Ai e fitoi admirimin e popullit amerikan nëpërmjet veprimeve të tija paqësore gjatë viteve ‘90 përkundër vështirësive shumë të mëdha. Jam i sigurt se njerëzit e Kosovës do të nderojnë kujtimin për të duke vazhduar punën që e filloi ai”, tha zoti Goldberg.

Komandanti i forcave paqeruajtëse, gjenerali italian, Xhuzepe Valoto, theksoi se vdekja e Presidentit Rugova “paraqet një moment pikëllues për popullin e Kosovës. Si President i Kosovës, zoti Rugova ka promovuar mjetet paqësore për të sjellë ndryshime për popullin e saj. Duke shprehur ngushëllimet e tij në emër të ushtarëve të KFOR-it, gjenerali Valoto shpreh keqardhjen më të thellë për humbjen e Presidentit Ibrahim Rugova, të cilin ai e cilëson “udhëheqës historik të Kosovës”. Ai shprehet i bindur se cilësitë e mëdha morale dhe njerëzore që ishin pjesë e personalitetit të Presidentit Rugova, do të vazhdojnë të udhëheqin popullin e Kosovës për një të ardhme paqësore dhe jo të dhunshme të rajonit”, tha gjenerali Valoto.

Kryetari i Parlamentit, Nexhat Daci, tha se Kosova sot ka përjetuar një moment shumë të vështirë shpirtëror. “Kosova është në zi të thellë me një ndjenjë të dhembjes që humbi personalitetin më të rëndësishëm të historisë së re në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, sepse ai ishte edhe thyes i komunizmit në gjithë Evropën Juglindore”. Por sipas tij, Kosova nuk do ta humbë drejtimin e vet dhe me përkushtim të plotë, do ta vazhdojë rrugën duke qenë krenare që pati një personalitet si Presidenti Rugova dhe kjo krenari e Kosovës do të bartet tek institucionet e saj”.

“Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi shprehu besimin e fuqishëm se familja e Presidentit Rugova do ta gjejë forcën për të tejkaluar dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut më të dashur të saj. “Vdekja e Presidentit është një humbje e madhe për Kosovën. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta qytetarëve të Kosovës dhe i ftoj që të gjithë të marrin shembullin dhe idealin e Presidentit tonë në angazhimet për pavarësinë e Kosovës. Presidenti Rugova me vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës ka qenë simbol i bashkimit dhe në historinë e re do të mbetet figura më e fuqishme politike dhe simbol i pavarësisë së Kosovës. ... Njeri i durimit dhe i forcës intelektuale, Presidenti Ibrahim Rugova, ka trasuar rrugën e tolerancës, dialogut, të përkushtimit dhe mirëbesimit. Edhe përtej kufijve të Kosovës, kudo nëpër botë Presidenti Rugova ka krijuar imazhin e njeriut të pavarësisë. Në këto çaste pikëllimi, Kosovës i duhet më shumë se kurrë bashkimi dhe forca për të tejkaluar dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut të paqes dhe të pavarësisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vdekja e Presidentit Rugova është një ngjarje e rëndë për Kosovën. “Partia Demokratike e Kosovës bashkëndjen dhimbjen me familjen e z. Rugova, institucioneve të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vdekja e kryetarit të Kosovës z. Ibrahim Rugova në momentet aktuale të proceseve të rëndësishme të vendimmarrjeve politike për statusin e ardhshëm të Kosovës është një moment i rëndë, moment të cilin qytetarët e Kosovës dhe institucionet duhet ta kalojnë me dinjitet dhe pjekuri njerëzore dhe politike. Partia Demokratike e Kosovës thërret qytetarët e vendit që të jenë të bashkuar në këto ditë të rënda për Kosovën. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara në sendërtimin e idealeve tona të përbashkëta për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, tha zoti Thaçi.

Kryetari i Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi, tha se me vdekjen e Presidentit Rugova, Kosova ka humbur luftëtarin e madh për pavarësinë e saj. “Historia ia ka pasë borxh Ibrahim Rugovës që këtë proces ta përmbyllë me të gjallë. Ibrahim Rugova ia ka pasë borxh që këtë proces ta kurorëzojë në fund me aktin e shpalljes së Kosovës shtet sovran, shtet i pavarur, duke qenë kryetar i Kosovës”, tha zoti Surroi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duke shprehur pikëllimin ka theksuar se Presidenti Rugova, mbetet shembëlltyrë e vendosmërisë, tolerancës dhe emancipimit politik të Kosovës në rrugën e saj për pavarësi. Përpjekjet dhe vendosmëria e tij e vazhdueshme për Kosovën shtet të pavarur e sovran, sollën deri te njohja dhe afirmimi ndërkombëtar i luftës shekullore të popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi e Demokraci. Reagime të panumërta janë bërë edhe nga partitë tjera politike.

Mijëra qytetarëve ndezën qirinj të shtunën mbrëma në qytetet e Kosovës, ndërsa për të djelën janë paralajmëruar shumë veprimtari me rastin e vdekjes së Presidentit.

Presidenti Rugova, për më shumë se 15 vjet, ishte ikonë e lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, ndërsa vdekja e tij ka ndidhur në në perioudhë shumë të ndjeshme për Kosovën kur kanë filluar negociatat për statusin e saj politik. //az//

XS
SM
MD
LG