Lidhje

Rugova: Udhëheqësi i lëvizjes për pavarësi


Dr. Ibrahim Rugova do të kujtohet si njeriu që iu përkushtua arritjes së pavarësisë së Kosovës me mjete paqësore. Në një farë mënyre, vdekja e tij i ngjan humbjes së një profeti: ai parashikoi me kohë një protektorat ndërkombëtar për Kosovën si hapi i parë drejt pavarësisë. Gjatë vitit 2005, Kosova hyri në një fazë të rëndësishme për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar dhe ideja e Dr. Rugovës që ky status të jetë pavarësia ndodhet tani para një sfide.

17 vjet më parë, më 1988, kur u zgjodh në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Dr. Rugova filloi të identifikohej gjithnjë e më shumë me opozitën e hapur ndaj sundimit komunist jugosllav në Kosovë. Ai u bë intelektuali që fliste hapur në kërkim të të drejtave për shumicën shqiptare dhe në dhjetor 1989, u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ndonëse një lëvizje me karakter të gjerë, ishte në fakt grupimi i parë politik i këtij lloji në Kosovë.

Si kryetar i Lidhjes Demokratike, Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij iu desh të punonin në kushtet kur udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviç kishte filluar tashmë të vepronte me dorë të hekurt në Kosovë, duke i hequr asaj autonominë. Rugova u përgjigj me rezistencë paqësore, të cilën e vazhdoi për një dekadë. Ai u bërë nismëtari i një sistemi që ekzistonte paralelisht me qeverisjen serbe në Kosovë.

Gjatë viteve 90, Rugova gëzonte mbështetje të gjerë të brendshme dhe të jashtëme për politikat e tij paqësore. Në vitin 1996, kur me nismën e Shteteve të Bashkuara, në Dayton të Ohios palët ndërluftuese ballkanike u ulën në tryezën e bisedimeve, Dr. Rugova nuk arriti të bindëte komunitetin ndërkombëtar që në konferencë të shtrohej edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës. Moszgjidhja e statusit të Kosovës e shtoi padurimin mes shqiptarëve dhe shqetësimin e tyre se ata mund të liheshin pafundësisht nën sundimin e Beogradit. Në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Rritja e UÇK-së e pakësoi mbështetjen për politikat paqësore të Dr. Rugovës. Mbi qiellin e Kosovës retë po errësoheshin dhe Shtetet e Bashkuara së bashku me evropianët shikonin afrimin e stuhisë. Diplomacia ndërkombëtare u vu në lëvizje për të parandaluar një masakër si ajo e Bosnjes.

Në fillim të vitit 1999, Dr. Rugova ishte ndër udhëheqësit shqiptarë që nënshkruan marrëveshjen e Rambujesë, e cila synonte zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës. Por dhuna e autoriteteve serbe në Kosovë u intensifikua dhe shpresat e komunitetit ndërkombëtar për një zgjidhje paqësore u shuan. Në mars të po atij viti, NATO-ja filloi bombardimet kundër Serbisë dhe Kosova u përfshi nga një valë spastrimi etnik. Dr. Rugova qendroi në Prishtinë, nën trysninë e jashtëzakonshme të forcave serbe të sigurimit.

Në kulmin e bombardimeve, imazhi i tij politik thuajse u shkatërrua kur ai u shfaq përpara kamerave të televizionit duke u takuar me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç. Shumë analistë në atë kohë menduan se karriera e tij politike kishte marrë fund.

Por faktet treguan se popullariteti i Rugovës vazhdonte të ishte i madh. Në vitin 2002, ai u zgjodh president i Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e udhëhequr prej tij ka fituar çdo zgjedhje që nga viti 1999. Largimi i forcave serbe nga Kosova në qershor 1999 çoi në vendosjen e një administrate të Kombeve të Bashkuara gjë që në fakt tregoi se profecia e Rugovës që Kosova të bëhej së pari një protektorat ndërkombëtar u realizua.

2005-a shënoi fillimin e procesit të shumëpritur për zgjidhjen e statusit të Kosovës duke u bërë viti kur premtimi i Dr. Rugovës për pavarësi dhe sovranitet filloi të vihej në provë të vërtetë. Dr. Rugova vazhdimisht ka përsëritur deklaratat e tij se pavarësia e Kosovës do ta qetësonte gjithë rajonin dhe do të ndihmonte zhvillimet demokratike në Ballkan.

Rugova i është përmbajtur pikëpamjes se pavarësia është kompromisi i vetëm i palës shqiptare pasi ajo nuk ka kërkuar bashkimin me Shqipërinë. Në muajin shtator, Presidenti Rugova njoftoi se ishte i sëmurë me kancer. Po atë muaj ai emëroi ekipin negociator në bisedimet për statusin, ekip që përfshinte edhe atë vetë. Por disa analistë janë shprehur se vdekja e Rugovës do të ndikojë negativisht në aftësinë e grupit negociator për të artikuluar platformën e tij në bisedime. Të tjerë kanë shprehur shqetësime se vdekja e tij mund të çonte në një luftë politike brenda LDK-së dhe në vështirësi në procesin e kalimit të pushtetit.

Rugova krijoi një autoritet të padiskutueshëm dhe fitoi statusin e një idhulli politik midis një pjese të mirë të shqiptarëve të Kosovës. Si udhëheqës politik ai kishte mbështetësit por edhe kundërshtarët e tij, të cilët e quanin autoritar dhe e akuzonin se Lidhjes Demokratike i mungonte demokracia e brendshme. Ai e kuptonte thellë konceptin se respektimi i të drejtave të pakicës serbe në Kosovë do të ishte me rëndësi vendimtare për ndërtimin e një shteti demokratik dhe besonte se pavarësia do të ndihmonte në zgjidhjen e këtij problemi.

Ashtu si politikanët e tjerë shqiptarë, zoti Rugova shprehte kritika të ashpra ndaj Beogradit, i cili sipas tij duhet të hiqte dorë nga përpjekjet për të ndikuar te komuniteti serb i Kosovës. Dr. Rugova i shikonte Shtetet e Bashkuara si aleatet kryesore të shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre për liri dhe të drejta si dhe në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Në vitin 1990, ai mori pjesë në një seancë me pyetje-përgjigje në Kongresin amerikan për Kosovën, një ndër dëshmitë e para që organizonin ligjvënësit amerikanë për Kosovën. Që nga ajo kohë, ai i vizitoi shpesh Shtetet e Bashkuara, ku takohej me zyrtarët më të lartë dhe me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar, me të cilin mbante vazhdimisht lidhje të ngushta. Trashëgimia e Dr. Rugovës do të mbetet ajo e një udhëheqësi që u përpoq të arrijë synimin e tij të pavarësisë me anë të politikave paqësore në një rajon të trazuar në të cilin dhuna dhe lufta shihej shpesh si terreni i vetëm ku mund të fitonin idetë. //rd//

XS
SM
MD
LG