Lidhje

Engel: Kjo humbje nuk do të pengojë negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Një nga miqtë më të ngushtë të Dr. Rugovës këtu në Shtetet e Bashkuara, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel, i tha Zërit të Amerikës se e ndjente thellë humbjen e Presidentit Rugova por shfaqi shpresën se kjo humbje nuk do të pengojë negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Doktor Rugova ia kushtoi gjithë jetën luftës për pavarësinë e Kosovës dhe është për të ardhur keq që tani ai nuk jeton më për ta parë realizimin e saj. Por mendoj se ne të gjithë mund të mësojmë prej tij dhe të përdorim shembullin e tij duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, tha zoti Engel. Mendoj, tha ai, se në Kosovë ka shumë udhëheqës të mirë në procesin politik por unë do t'u bëja thirrje atyre që të flasin me të njëjtin zë dhe jo të luftojnë me njëri-tjetrin. Ata duhet ta shfrytëzojnë këtë ngjarje tragjike si një nxitje për të ecur përpara dhe për të mos hequr nga vemendja objektivin e tyre madh, tha zoti Engel.

Do të ishte tragjedi, tha ai, nëse vdekja e Dr. Rugovës do të bënte që partitë e ndryshme politike në Kosovë të fillonin të luftonin midis tyre dhe të mos bashkoheshin. Isha në Kosovë para pak muajsh dhe përsëri mbeta i mrekulluar nga vullneti dhe inteligjenca e popullit të saj. E përsëris, tha zoti Engel, se në parlamentin dhe qeverinë e Kosovë ka shumë politikanë dhe udhëheqës të talentuar.//rd//

XS
SM
MD
LG