Lidhje

Pano: Vdekja e Ibrahim Rugovës mund të ketë ndikim të madh në procesin e negociatave


Edhe komuniteti shqiptaro amerikan e priti me pikëllim vdekjen e zotit Rugova. Eksperti i çështjeve shqiptare, Profesor Nikollas Pano, e cilësoi humbjen e Ibrahim Rugovës si një tragjedi të madhe për familjen e tij si edhe për mbarë popullin e Kosovës. “Kjo, tha Profesor Pano në një intervistë me Zërin e Amerikës, “është një ngjarje që mund të ketë ndikim të madh mbi procesin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës”.

“Ibrahim Rugova”, tha Profesor Pano, “ishte simboli i lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Ai ishte një udhëheqës revolucionar, që mund të krahasohet me Mahatma Gandin e Indisë dhe Martin Luther Kungun në Shtetet e Bashkuara. Rugova ishte një udhëheqës që kërkonte arritjen e objektivave të tij politike me rrugë paqesore dhe kjo i siguroi atij mbështetje dhe respekt të madh në komunitetin ndërkombëtar.”

Profesor Pano tha se në një farë mënyre, vdekja e Rugovës i kujton vdekjen e parakohshme të Martin Luther Kingut. Sikurse Martin Luther Kingu, Rugova pati një ëndërr; ëndërra e tij ishte Kosova e pavarur dhe sikurse Martin Luther Kingu, Ibrahim Rugova nuk jetoi për të parë realizimin e ëndrrës së tij. Në këtë pikëpmaje theksoi zoti Pano, kjo ishte një tragjedi e madhe.

Eksperti i çështjeve shqiptare tha se ndikimi i menjëhershëm i vdekjes së Rugovës do të jetë një vonesë në bisedimet mbi statusin përfundimtar. Do të jetë e nevojshme që delegacioni i Kosovës në bisedime të plotësohet, por zoti Pano tha se nuk mendon që do të ketë ndryshime në qendrimin e përgjithshëm politik, pasi anëtarët e delegacionit janë me të vërtetë të bashkuar në të gjitha pikat, kryesisht përfaqësimi i vullnetit të popullit të Kosovës, i cili kërkon pavarësinë.

Profesor Pano tha se çështja tani është të zgjidhet pasardhësi i zotit Rugova, i cili ishte edhe simboli i unitetit të popullit të Kosvës dhe shtoi se çështja sesa do të vonohen negociatat për statusin përfundimtar mund të varet shumë nga negociatat për gjetjen e një pasardhësi të Rugovës.

Megjithatë, ai nuk parashikon ndonjë krizë politike në Kosovë: “Mendoj se do të ishte gabim i madh sikur udhëheqësit e partive të ndryshme politike të Kosovës të angazhohen në këtë kohë në grindje të parëndësishme politike apo luftë për pushtet. Ajo që duhet të ndodhë në Kosovë, tha Profesor Pano, është të hapen diskutimet midis grupive të ndryshme politike nga të cilat të dalë një udhëheqës i pranueshëm për të gjithë.”

Ai tha se është me rëndësi që populli i Kosovës të tregohet i qetë dhe i përmbajtur në këtë periudhë kritike kalimtare të historisë së tij. “Është qenësore”, shtoi profesor Pano, “që të gjithë në Kosovë ta kuptojnë gjendjen kritike në të cilën nodhet Kosova dhe populli si edhe udhëheqësit e tij politikë të mos bëjnë asgjë që do të largonte vëmendjen nga objektivi përfundimtar, zhvillimi i negociatave që shpresohet të çojnë në pavarësinë e Kosovës.

Edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Nju Jorkun me rrethe, Marian Cubi, i cili shërben tani si nënkryetar i degës, shpehu pikëllim të thellë për vdekjen e zotit Rugova. “Vdekja e Ibrahim Rugovës”, tha zoti Cubi, “është një humbje e rëndë për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Ai ia përkushtoi gjithë jetën lirisë e pavarësisë së Kosovës si edhe demokratizimit shqipëtar në gjirin evropian dhe me miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara.”

“Kryetari Rugova”, tha zoti Cubi, “na mësoi sesi të orientohemi politikisht dhe shpirtërisht që të bindim botën për lashtësinë tonë, autoktoninë tonë dhe vlerat tona historike e tradicionale.

As zoti Cubi nuk pajtohet me zërat se vdekja e Rugovës do të pasohet me një krizë politike në Kosovë: “Mendoj se veprimtaria e tij ka çuar në krijimin e një mjedisi ku të mos ketë kriza e vështirësi, të mos ketë dyshime për vazhdimsinë politike dhe të përpjekjeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar.”

Është e kuptueshme, shtoi zoti Cubi, se personaliteti i Rugovës dhe aftësitë e tij nuk mund të zëvendësohen, por vepritaria, bashkëpunimi dhe duresa e tij kanë çuar në organizimin dhe krijimin e institucioneve të themelta të afta për ta udhëhequr popullin në rrugën e duhur.

XS
SM
MD
LG