Lidhje

Zyrtarët iranianë paralajmërojnë fillimin e procesit për pasurimin e uraniumit të shkallës industriale


Zyrtari më i lartë iranian për çështjet bërthamore paralajmëroi se vendi i tij do të rifillojë pasurimin e uraniumit të shkallës industriale, nëse çështja e Teheranit i referohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me krizën bërthamore.

Negociatori Ali Larijani e bëri këtë paralajmërimin në një intervistë që i dha sot gazetës Financial Times. Larijani shkon nesër në Moskë për t’u takuar me zyrtarë të lartë rusë. Rusia është kundër sanksioneve të OKB-së për Iranin dhe ka propozuar së fundmi se uraniumi mund të pasurohet në Rusi për t’u përdorur në reaktorë iranianë.

Ndërkohë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Mohamed El Baradei hodhi sot poshtë një kërkesë për të paraqitur një raport të detajuar të aktivitetit bërthamor të Iranit për një seancë urgjente më 2 shkurt. Seanca do të jetë një shans për Evropën që të paraqesë argumentat për ta çuar çështjen e Iranit në Këshillin e Sigurimit për sanksione të mundshme. Teherani shkeli një moratorium dy vjeçar për kërkime bërthamore këtë muaj, por këmbëngul se ambiciet e tij bërthamore janë për qëllime paqësore. //rd//

XS
SM
MD
LG