Lidhje

Thaçi: Spektri politik kosovar, i bashkuar


Udhëheqës dhe personalitete të shumta botërore e kanë vlerësuar doktor Rugovën gjatë këtyre ditëve për qëndirmin e tij të vendosur dhe rrugën paqësore drejt arritjes së aspiratave të tij. Sot, pas humbjes së zotit Rugova, analistët ndonëse shprehin bindjen për vazhdimin e rrrugës paqësore, u kanë bërë thirrje politikanëve shiptarë të tregojnë maturi dhe unitet. Në emisionin Ditari, Zëri i Amerikës, bisedoi me kryetarin e partisë më të madhe opozitare në Kosovë, zotin Hashim Thaçi.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, si drejtues i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, fillimisht çfarë trashëgimie ka lënë për ju vdekja e presidentit Rugova?

Hashim Thaçi: Mendoj se Kosova dhe institucionet e saj janë duke u përballur me një situatë të re, me një situatë pa përvojë në Kosovën demokratike. Sot është koha e rritjes së unitetit dhe unifikimit të spektrit politik kosovar, në mënyrë që ajo të mos shoqërohet nga prizmi i pozitës apo opozitës. Jemi në një situatë të kthesës historike, të nxjerrjes së vendimeve historike dhe vdekja e presidentit të Kosovës ka krijuar një rrethanë të re, një rrethanë që duhet të na imponojë dhe më fuqishëm rritjen dhe kultivimin e unitetit politik dhe qytetar, rritjen e unitetit të domosdoshëm për ndërtimin e rendit demokratik e mbi të gjitha, të ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në Nato, si përkushtim dhe vullnet ky, i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe i lidershipit kosovar.

Zëri i Amerikës: Në bazë të ligjeve të Kosovës, funksionet e presidentit në raste të tilla si ky i tanishmi, i kalojnë krytarit të parlamentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri. A ka ndodhur ky transferim, si hap i parë?

Hashim Thaçi: Mendoj se sot nuk është koha për të diskutuar për çështje të tilla politike. Sot i gjithë sistemi politik, por edhe qytatarët, duhet të fokusohemi se si t’i kalojmë sa më të bashkuar këto ditë të zisë në Kosovë, se si të tregohemi të urtë, të mençur dhe të guximshëm e të kultivojmë kulturën tonë demokratike, qytetare e kombëtare, në mënyrë që të dëshmohemi edhe para botë,s edhe para qytetarëve, se ky vakuum do të tejkalohet në të ardhmen, në mënyrë unike e të bashkuar, në mënyrë të mençur dhe ashtu siç e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi një pjesë e mirë e analistëve dhe personaliteteve në komentet që kanë bërë pas vdekjes të zotit Rugova, i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare të jetë e bashkuar, dhe të shmangë një luftë të mundshme për pushtet. Duke qënë se jeni kryetar i partisë më të madhe opozitare, çfarë roli do të luani ju në këtë situatë?

Hashim Thaçi: Kosova është e bashkuar. Duhet që energjitë tona t’i fokusojmë në forcimin e unitetit me grupin negociator të Kosovës si etikë kjo e unitetit, por edhe si delegacion i ndërtimit të Kosovës dhe në këtë çështje, edhe opozita, edhe pozita do të jenë të bashkuara në platformën për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe në këtë drejtim unë besoj se do ta kemi edhe mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Unë besoj se edhe këtë situatë do ta kalojmë me dinjitet, me respekt për njëri-tjetrin, me kultivim të kulturës qytetare, politike e kombëtare. Kështu që unë nuk shoh ndonjë plasaritje, përçarje, por shoh një kultivim në rritje të unitetit dhe kulturës të bashkimit të spektrit politik kosovar për ndërtimin e një shteti të pavarur dhe sovran.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, në komentet e tij të para pas vdekjes së zotit Rugova, i dërguari i posaçëm i OKB-së për negociatat për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari tha se dëshira e zotit Rugova do të ishte vazhdimi i bisedimeve i procesit të statusit. Tashmë kuptohet që ky proces është shtyrë për disa ditë. Në këtë moment delikat kur ju sapo hyni në rrugën e përcaktimit të statusit, është një moment që ju duhet të provoni veten tuaj pikërisht për të gjitha këto gjëra që thatë këtu, por a pritet të zgjidhet me shpejtësi çështja e kryesimit të delegacionit në bisedimet për statusin?

Hashim Thaçi: Fillimisht dua të theksoj se çdo lider politik i Kosovës, sot duhet të sillet në mënyrë shumë të përgjegjëshme, të dalë mbi unin e vetë personal dhe grupor partiak, të investojë në kalimin e situatës së re të krijuar, për një kalim sa më me dinjitet, sa më të bashkuar, në mënyrë që të mos lëndojmë asnjë ndjenjë të qytetarëve të Kosovës, të mos e dëshpërojmë komunitetin ndërkombëtar. Ne kemi patur situata të rënda më parë, kemi situata të reja sot, dhe unë besoj se do t’i kalojmë në mënyrë unike, në mënyrë dinjitoze, në atë mënyrë që e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtar. //rd//

XS
SM
MD
LG