Lidhje

Duhani dhe kanceri i mushkërive


Kanceri në mushkëri është një sëmundje fatale dhe fajin për këtë duket se e ka duhani. Shkencëtarët thonë se sikur duhani të eleminohej, rastet e kancerit në mushkëri do të pakësoheshin deri 90 përqind. Ata thonë se kanceri i mushkërivë tani ka filluar të bëhet më i shpeshtë edhe mes personave që nuk pijnë duhan. Gjatë 10 vjetëve të fundit, shtimi i rasteve të tilla ka ardhur duke u rritur dhe arsyeja shpjegohet se këta persona megjithëse nuk pijnë duhan, punojnë, ose jetojnë në mjedise ku pihet duhan. Gjithashtu ka shumë njerëz që nuk e pranojnë që pijnë duhan, madje edhe kur shkojnë tek mjeku, ngulin këmbë duke thënë se nuk pijnë duhan. Një sjellje e tillë është e rrezikëshme, veçanërisht në rastet e grave shtatzëne.

Çdo vit me kancer në mushkëri diagnostikohen 28 mijë amerikanë të cilët kurrë nuk kanë pirë cigare. Mjekët besojnë se këta të semure kanë jetuar ose punuar në mjedise ku pihet duhani. Kanceri i mushkërive ka pasoja shumë të këqia. Para disa ditësh, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova vdiq nga kjo sëmundje, dhe thuhet se ai pinte shumë duhan. Gjithashtu komentatori i njohur amerikan Peter Jenings, vdiq vitin e kaluar nga kanceri në mushkëri. Ai e kishte lënë duhanin para 15 vjetësh, por e filloi përsëri dhe vetëm pak muaj pas rifillimit të duhanit, kanceri iu shfaq në mushkëri. Si presidenti Rugova edhe komentatori Jenings vdiqën në moshë relativisht të re, pak mbi 60 vjeç. Sipas të dhënave, jetë-gjatësia e një personi që pi duhan shkurtohet deri me 10 vjet, ndërsa vdekjet mes grupmoshave që pijnë duhan janë 5 herë më të larta se mes atyre që nuk e pijnë atë.

Ekspertët thonë se fëmijët janë më të pa mbrojturit ndaj tymit të duhanit. Mbajtja e fëmijëve në mjedise ku pihet duhan mund të bëhet shkak për sëmundje të tjera më të rrezikëshme. Tymi i lëshuar nga të tjerët, tek fëmijët bëhet shkak për infeksione në gjoks, bronkit dhe infeksione të veshit dhe asthmën. Por të rriturit që nuk pijnë duhan por që qëndrojnë në mjedise me ajër të ndotur nga tymi i duhanit, mund të preken nga kanceri në mushkëri e sëmundje të zemrës. Këto të dhëna e bëjnë më të rëndësishme e të domosdoshme për prindërit që të dijnë në se fëmijët e tyre ndeshen me ajrin e ndotur nga tymi i duhanit. Prindërve tani u vjen në ndihmë një analizë e re e urinës. Pajisja për kryerjen e kësaj analize quhet TobacAlert që shitet në farmaci pa recetë dhe me saktësi tregon nivelin e kotinës në urinë. Kotina është një nënsubstancë e nikotinës. Gjatë një punë kërkimore në këtë klinikë në Rino të Nevadës, gratë shtatzëne kryejnë rregullisht këtë lloj analize për të diktuar në se janë ekspozuar ndaj tymit të duhanit. Analiza i ndihmon nënat për të dalluar nivelin e kotinës në urinë dhe gjithashtu i bën ato më të hapura në bisedat ndaj të këqijave që sjell duhani. Gjithashtu këto lloj analizash tani përdoren edhe në rastet e divorceve kur njëri prind kërkon kujdestarinë e fëmijës, duke u ankuar se fëmija është në rrezik shëndeti pasi prindi tjetër pi duhan. TobacAlert ka filluar të përdoret edhe nga ndërmarrje private ndaj punënjësve të tyre. Statistikat tregojnë se një person që pi duhan, mungon nga puna për arsye shëndetësore mesatarisht 18 ditë në vit, ndërsa një agjenci sigurimesh shëndetësore mund të kursejë rreth 3 mijë e 500 dollarë në vit nëse një person i siguruar nuk pi duhan. Madje disa ekspertë thonë se në se duhani eleminohet, pra në se lihet duhani, atëherë edhe ata që nuk pijnë duhan nuk do të ishin më në rrezik prej tij. Ekspertët thonë se me një hap të tillë, rastet e kancerit të mushkërivë mund të pakësoheshin deri në 90 përqind. Pra mendimi i përgjithshëm si dhe mesazhi është ky: Duhani është i rrezikshëm dhe ndaj tij, të gjithë duhet të kenë kujdes./al/

XS
SM
MD
LG