Lidhje

Goldberg: Vizioni i Rugovës për të ardhmen ishte shumë i lidhur me procesin e statusit përfundimtar


Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës tha se Kosova pa presidentin Rugova është një Kosovë e ndryshme, politikisht dhe në çdo mënyrë tjetër, por njerëzit këtu do ta respektojnë shumë trashëgiminë e tij dhe do të shkojnë përpara me idetë që u la ai.

Zëri i Amerikës: Zoti Goldberg, presidenti Rugova ishte mik i Shteteve të Bashkuara dhe ju e keni mbështetur aq shumë. Cili është boshllëku që la ai në Kosovë me vdekjen e tij?

Ambasadori Goldberg: Presidenti Rugova ishte symbol i Kosovës në gjithë botën, ishte edhe simbol në Kosovë, mund ta shohësh këtë nga grupet e shumta të njerëzve që kalojnë para trupit të tij, në ndërtesën e Parlamentit. Ata po e bëjnë këtë me dinjitet dhe respekt shumë të madh dhe dashuri shumë të madhe. Është një pjesëmarrje e jashtëzakonshme. Mendoj se Kosova pa presidentin Rugova është një Kosovë e ndryshme, politikisht dhe në çdo mënyrë tjetër, por njerëzit këtu do ta respektojnë shumë trashëgiminë e tij dhe do të shkojnë përpara me idetë që u la ai. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Zoti Rugova mbante tri pozita shumë të rëndësishme. Ishte kryesues i grupit negociator, president i Kosovës dhe udhëheqës i partisë më të madhe në vend, Lidhjes Demokratike. Si mendoni se do të plotësohen këto vende, veçanërisht kryesuesi i grupit negociator dhe i presidentit?

Ambasadori Goldberg: Pa dashur të diskutoj shumë për politikën sepse kjo është kohë zie kur duam thjeshtë t’i bëjmë nderimet presidentit Rugova dhe familjes së tij, mund të them se vizioni i tij për të ardhmen ishte shumë i lidhur me procesin e statusit përfundimtar. Dhe çdo gjë që do të bëhet në periudhën që pason, duhet marrë parasysh procesin e statusit përfundimtar, jo vetëm për të mirën e të gjithë popullit të Kosovës, por edhe në kujtim të presidentit Rugova. Kjo do të thotë se kushdo që do të bëhet president i Kosovës, (dhe tani nuk ka president, do të duhet të vendoset se cili do të jetë presidenti tjetër), procesi do të ndihmohet nga ajo zgjedhje. Procesi i negociatave për statusin përfundimtar do të vazhdojë nga grupi i unitetit, nga grupi negociator që ngriti presidenti Rugova si një nga veprimet e tij të fundit si president dhe të cilin e udhëhoqi aq mirë. Ky proces do të vazhdojë, sepse është në interes të të gjithë njerëzve këtu dhe sepse do të nderojë kujtimin e tij sepse kjo është ajo që ishte më e rëndësishme për të, e ardhmja e Kosovës. Kjo do të thotë se duhet të jetë një grup uniteti, njerëzit duhet të bëhen bashkë dhe shpresoj se vdekja e presidentit Rugova do të ndihmojë dhe do ta bëjë më solid këtë unitet edhe pse ai nuk është këtu për të ndihmuar, për ta udhëhequr.

Zëri i Amerikës: A prisni negociata shumë të vështira apo të vështira për këto dy pozita, atë të kryesuesit të grupit negociator dhe të presidentit?

Ambasadori Goldberg: Nuk dua të flas për politikë për momentin, por ajo që mendoj është se kryesuesi i grupit negociator, siç u ngrit nga presidenti Rugova, është presidenti i Kosovës. Nuk ka president të Kosovës, dhe mendoj se do të ishte shumë mirë nëse pas zisë zyrtare, fillon procesi për të zgjedhur një president të ri, sepse është shumë e rëndësishme, për të ardhmen dhe kujtimin e dr.Rugovës. Ai luajti një rol unik, ai është i pazëvendësueshëm në kaq shumë mënyra, si udhëheqës, si symbol dhe si një figurë e madhe për botën dhe popullin e Kosovës. Por ajo që mund të bëhet është që kujtimi i tij të nderohet duke e çuar këtë proces përpara, në të cilin ai besonte kaq shumë. Kjo mund të bëhet përmes zgjedhjes së një personi konsensual, dikush që do t’i bashkojë njerëzit, veçanërisht në atë grup negociator, në mënyrë që të mbahet takimi i Vjenës, procesi të shkojë përpara, në mënyrë që të mos humbet kohë, sepse mendoj se kjo do të ishte gjëja e fundit që do të kishte dashur presidenti Rugova. //rd//

XS
SM
MD
LG