Lidhje

Holbrooke: Shqiptarët e Kosovës duhet të bashkohen për të realizuar ëndrrën e Presidentit Rugova për pavarësi


Richard Holbrooke, një nga diplomatët që ka luajtur një rol qendror në Ballkan, gjatë viteve 90 thotë se Presidenti Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës i jashtëzakonshëm. Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, tha dje për Zërin e Amerikës se populli i Kosovës ishte me fat që u drejtua nga një njeri i tillë dhe tani duhet të punojë për të realizuar ëndrrën e Presidentit Rugova për pavarësi. Ambasadori Holbrook foli edhe për një ëndërr të tijën për të ardhmen e popujve të Ballkanit.

Ambasadori Holbrooke e përmbledh me pak fjalë rolin e rëndësishëm të Presidentit Rugova për Kosovën.

“Kosova ndoshta nuk do të ekzistonte sot pa vizionin dhe këmbënguljen e tij”.

Ambasadori thotë se e njihte mirë Presidentin Rugova dhe për të shprehur kujtimet e tij sjell vetëm një detaj dhe simbolizmin e tij.

“Gjithmonë do ta kujtoj që kur e takova, ai kishte shallin e tij të përhershëm dhe tha se nuk do ta hiqte deri kur Kosova të ishte e lirë. Më vonë, kur shkova përsëri në Prishtinë e pashë pa shall në qafë. Ishte diçka e mrekullueshme. Ai ishte një njeri i madh dhe populli i Kosovës ishte me fat që e kishte atë si udhëheqës”.

Duke u përgjigjur për sfidat me të cilat përballet Kosova pas vdekjes së Presidentit Rugova në një moment aq kritik për të ardhmen e saj, ambasadori Holbrooke shpreh besimin se trashëgimia e tij do të mbetet dhe thotë se shpreson që shqiptarët të bashkohen për të punuar drejt qëllimit për të cilin u përpoq presidenti Rugova.

“Shqiptarët e Kosovës kanë një mision historik për të plotësuar. Tani aq më tepër si një nderim ndaj kujtimit të doktor Rugovës”.

Ish diplomati nuk i jep ndonjë rëndësi të madhe faktit që bisedimet e parashikuara për në janar, u shtynë për në shkurt, por e vë theksin tek ajo që duhet të bëjnë shqiptarët për të realizuar qëllimin e tyre.

“E rëndësishme është që shqiptarët dhe delegacioni i tyre të jenë të bashkuar rreth një programi të qartë për pavarësi dhe respekt të plotë për të drejtat e të gjitha pakicave në Kosovë, për të drejtat e tyre kulturore, fetare, politike, etnike dhe gjuhësore. Kjo është thelbësore. Pa mbrojtjen e këtyre të drejtave do të jetë e pamundur të realizohet ëndrra që ka trazuar shqiptarët e Kosovës për shekuj me radhë”.

Megjithëse shqiptarët janë shprehur se nuk pranojnë asgjë më pak se pavarësinë dhe serbët do të ishin dakord me gjithçka përveç pavarësisë, ambasadori Holbrooke thotë se gjithkush e di se cilat janë alternativat dhe me siguri që ata do të jenë në gjendje ta gjejnë zgjidhjen.

Megjithatë ai thotë se nuk do të donte të bënte parashikime për përfundimin e negociatave.

“Nuk ka vlerë të parashikohet përfundimi i negociatave. Vetëm po them se e rëndësishme është që nëse shqiptarët duan të realizojnë ëndrrën e tyre historike, të cilën unë e mbështes, ata duhet të garantojnë sigurinë dhe lirinë e pakicave, sidomos të serbëve”.

Megjithëse një nga idetë e hedhura për të ardhmen është për një marrëveshje si ajo e Dejtonit, ambasadori i cili ishte vetë një nga arkitektët e saj, nuk sheh ngjashmëri mes Bosnjës dhe Kosovës dhe nuk e sheh të përshtatshme një zgjidhje të tillë. Ai gjithashtu shprehet qartë se megjithëse janë negociatorët ata që do të vendosin, ai vetë është kundër ndarjes.

Ambasadori Holbrooke është optimist për të ardhmen e bisedimeve edhe për një arsye tjetër. Ai vlerëson lart diplomatët ndërkombëtarë që janë caktuar për të ndërmjetësuar.

“Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kombet e Bashkuara kanë emëruar emisarë të shkëlqyer. Marti Ahtisaari është shumë i zoti dhe i dërguari amerikan, Ambasadori Frank Wisner, të cilin e njoh prej kohësh, që kur kemi qenë bashkë në luftën e Vietnamit, është një nga diplomatët më të zotë në historinë moderne të diplomacisë amerikane. Kështu mendoj se ekipi i Ahtisaarit dhe Wisnerit do të ketë një rol shumë të madh për zgjidhjen e këtij problemi të vjetër”.

Ambasadori vlerëson angazhimin aktual të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, pas 4 vjet vonese dhe thotë se ky është një sinjal shumë i mirë për paqe dhe qëndrueshmëri. Por si e parashikon zoti Holbrooke Ballkanin, në të ardhmen?

“Ëndrra ime është që Ballkani të jetë një grup vendesh të pavarura, të lidhura në një zonë të përbashkët ekonomike dhe që të futen të gjitha në Bashkimin Evropian përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë”.

XS
SM
MD
LG