Lidhje

Hetuesi evropian nuk gjen prova të pakundërshtueshme për burgje sekrete të CIA-s


Një hetues për Këshillin e Evropës , thotë se nuk ka gjetur prova të pakundërshtueshme se në Evropë mund të kenë ekzistuar burgje sekrete të CIA-s. Ligjvënësi zviceran që kryesoi hetimet, Dick Marty, ka kërkuar më shumë kohë dhe bashkëpunim për përfundimin e hetimeve.

Dick Marty foli në një sesion të hapur të Këshillit të Evropës në Strasbourg të Francës.

“Nuk kam gjetur ende prova juridike që të tregojnë se kanë ekzistuar qendra sekrete burgimi të CIAs, ose që autoritetet lokale të kenë qënë në dijeni për to”.

Zoti Marty kërkoi më shumë kohë për të përfunduar hetimet. Ai tha se nëse qendra të tilla do të kishin ekzistuar, vendet evropiane do të ishin në dijeni për to.

Ligjvënësi zviceran citoi shumë njoftime të shtypit mbi këtë çështre, përfshi libra ku thuhet se njerëzit janë rrëmbyer dhe dërguar për pyetje në vende ku nuk ka asnjë lloj respekti për të drejtat bazë të njeriut.

Ai tha se Rumania dhe anëtarja e Bashkimit Evropian, Polonia nuk duhet të jenë të vetmet vende mbi të cilat bien dyshimet për qendra sekrete burgimi.

Komentet e zotit Marty u bënë në të njetën ditë me dorëzimin e raportit të tij të dytë të përkohshëm, lidhur me burgjet sekrete dhe transportimin e fshehtë të të dyshuarve për terrorizëm në Evropë. Këto akuza kanë shkaktuar reagime të ashpra në Evropë.

Zoti Marti tha se në një fjalim për evropianët muajin e kaluar, sekretarja e shtetit Condoleezza Rice, mohoi kategorikisht se janë përdorur torturat, por nuk e mohoi transferimin e të dyshuarave në vende të tjera.

Pas publikimit të raportit të zotit Marty, ish ministri britanik për Evropën, Denis MacShane tha se nuk ka asgjë të re, s’ka prova, s’ka dëshmitarë dhe s’ka dokumenta që të justifikojnë akuzat e bëra. Anëtari britanik i parlamentit tha se raporti thjesht riqarkullon akuzat e bëra në gazeta dhe bën një propagandë anti-amerikane.

Një deklaratë nga zyrtari i lartë i drejtësisë së Bashkimin Evropian, komisioneri Franco Frattini u bëri thirrje të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të bashkëpunojnë plotësisht me hetimet e Këshillit Evropian sa më shpejt dhe më mirë të jetë e mundur.

Javën e kaluar, parlamenti evropian njoftoi se do të fillonte hetimet e veta lidhur me akuzat, duke filluar seancat dëgjimore në fund të këtij muaji. Ai u bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë dhe ish kryetarëve të shteteve t’u përgjigjen pyetjeve.

XS
SM
MD
LG