Lidhje

Fillon në Davos të Zvicrës Forumi Vjetor i Ekonomisë Botërore


Drejtues biznesi dhe politikanë nga mbarë bota filluan takimin e tyre vjetor në Davos të Zvicrës. Në takimin 5 ditor do të marrin pjesë më tepër se 2 mijë e 300 përfaqësues nga 89 vende të ndryshme të botës. Një nga temat kryesore që do të diskutohet në takimin e sivjetëm është lindja e Kinës dhe Indisë si fuqi globale ekonomike. Pjesëmarrësit do të diskutojnë gjithashtu lidhur me çmimet e energjisë, mbi programin bërthmor të Iranit dhe terrorizmin.

Mes udhëheqësve botërorë që po ndjekin takimin janë Zv/kryeministri i Kinës Zeng Peian, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan. Në takim do të flasin edhe disa nga figurat e njohura të botës së artit, si aktorja Angelina Jolie, që është edhe ambasadore e vullnetit të mirë e OKB-së, si dhe këngëtari Bono i grupit muzikor U-2, që është njëkohësisht aktivist në luftën kundër varfërisë në botë.

Forumi Vjetor i Ekonomisë Botërore u krijon mundësinë drejtuesve të biznesit dhe politikanëve të shqyrtojnë prirjet e ekonomisë dhe zhvillimit botëror. Masat e sigurisë janë shtuar për shkak të shqetësimeve për prishjen e takimit nga kundërshtarët e globalizimit. Por gjatë viteve të fundit, organizatorët e takimit janë përpjekur të paraqesin atje pikëpamje të kundërta. Këtë vit, pjesëmarrësit do të diskutojnë për frymën krijuese dhe novatore si elementë të rëndësishëm të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

"Fryma krijuese dhe novatore janë të rëndësishme për mbarë procesin e globalizimit. Kjo është mënyra më e rëndësishme për trajtimin e sfidave të rëndësishme me të cilat po përballen aktualisht shumë nga vendet e botës"- thote punonjësi i Bankës Botërore Hans Timer që merret me analizimin e Perspektivave të Zhvillimit të Ekonomisë Globale.

"Procesi më i rëndësishëm në botën në zhvillim është rritja e prodhueshmërisë. Në mbarë botën në zhvillim shihet një rritje tepër e madhe, me rreth 6 për qind në të gjitha vendeve në zhvillim të marra së bashku. Kjo nuk shihet vetëm në ekonomitë e Kinës dhe Indisë, por në ato të mbarë rajoneve me vende në zhvillim. Arsyeja është rritja e prodhimit dhe kjo realizohet nëpërmjet shtimit të frymës krijues edhe novatore. - thotë zoti Timer.

Zoti Timer thotë se kjo prirje shihet jo vetëm në mënyrat e reja të prodhimit, por edhe në metodat e reja të zhvillimit të tregtisë dhe bashkëpunimit.

"Shihet një ndryshim i madh, jo vetëm përsa i përket shtimit të prodhimit, por edhe shumëllojshmërisë së tij; për rezultat, shihet një ndryshim i rregullave botërore për tregtinë, vihet re gjithashtu një konkurrencë në tregjet botërore, me ndikime tepër pozitive në shumë vende të botës."-thotë ai.

Udhëheqësit e ekonomisë dhe bisnesit zakonisht trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me konkurrencën kur është fjala për burime të kufizuara. Kjo është edhe arsyeja përse në takimin e sivjetëm në Davos të Zvicrës po diskutohet për frymës krijuese, një burim që nuk ka asnjë lloj kufizimi.//lk

XS
SM
MD
LG