Lidhje

Berisha: Trashëgimia e Rugovës është vizioni i të ardhmes së shkëlqyer europiane të Kosovës


Zëri i Amerikës: Doktor, presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ka qenë miku juaj. Si u ndjetë sot që u desh të vini në ceremonitë e përmortshme?

Kryeministri Berisha: Presidenti Rugova ka qenë mik i të gjithë shqiptarëve, por do të thosha, jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i të gjithë atyre të cilët çmojnë paqen dhe forcën e saj, lirinë dhe vlerat e saj, pavarësinë dhe mrekullinë e ëndrrës së saj.

Në këtë kontekst, sot të gjithë shqiptarët dhe të tjerë ndjehen shumë të mangët me mungesën fizike të presidentit Rugova. Megjithatë ata ndjehen shumë krenar me trashëgiminë e madhe të tij. Ai themeloi Kosovën moderne, vlerat më të mira shpirtërore të shqiptarëve dhe të qytetërimit perëndimor, dhe i vendosi ata në themelet e këtij shteti, paqen, mirëkuptimin, tolerancën, lirinë, pavarësinë.

Prandaj, asgjë nuk është më e madhe sot për miqtë e tij, për qytetarët e tij sesa trashëgimia e doktor Rugovës. Ai ka një trashëgimi të shkëlqyer. Trashëgimia e Rugovës është vizioni i të ardhmes së shkëlqyer europiane të Kosovës. Ndaj dhe duke përjetuar dhimbjen për këtë humbje, e konsideroj atë më të gjallë se kurrë në veprën e tij, si dhe në vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, si kryeministër i Shqipërisë, si e shihni ju Kosovën e së ardhmes pa doktor Rugovën?

Kryeministri Berisha: Rugova ishte emblema e shpirtit dhe vlerave të popullit të tij. Ato janë të mishëruara tek qytetarët e Kosovës. Kosova ka një udhëheqje politike shumë të mençur, të përkushtuar dhe të vendosur, dhe jam i bindur se vërtetë ai nuk do të mund të firmosë, por faktikisht bashkëpunëtorët e tij, institucionet, themelet e të cilave janë që prej viteve të shkuara, institucionet e lira të Kosovës, institucionet e dala nga vota e lirë, forcat politike që janë të gjitha në unitet për sa i përket ardhmërisë së Kosovës, vlerave të shtetit që ndërtojnë, do ta bëjnë këtë.

Kështu që unë e shoh me një optimizëm real dhe të sigurt Kosovën një vend të lirë, të integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe NATO, një shoqëri perëndimore, një vend sovran, të pavarur të qytetarëve të barabartë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

XS
SM
MD
LG