Lidhje

Presidenti Bush mbron përsëri politikën e tij të përgjimit


Presidenti Bush mbrojti përsëri politikën e tij të përgjimit brenda vendit, duke këmbëngulur se ky program është i ligjshëm dhe i nevojshëm.

Duke folur para gazetarëve sot në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti tha se agjencitë e zbulimit duhet të përgjojnë komunikimet për të parandaluar një sulm tjetër terrorist. Ai shtoi se ky program ka për qëllim mbrojtjen e lirive civile të amerikanëve.

Presidenti Bush autorizoi qeverinë të përgjojë, pa urdhër nga gjykata, bisedat telefonike dhe e-meilet mes amerikanëve dhe personave të dyshuar si terroristë jashtë vendit. Ligjvënësit demokratë dhe disa nga ata republikanë e kanë vënë në diskutim ligjishmërinë e këtij programi.

Zoti Bush tha gjithashtu se ligji i miratuar kohët e fundit për nxjerrjen jashtë ligjit të torturës nuk do të lihet mënjanë. Administrata e tij e kundërshtoi fillimisht ligjin e ri, që u miratua pasi Shtetet e Bashkuara u akuzuan se përdorin torturën në ndjekje të terroristëve. Presidenti Bush tha se asnjë amerikan nuk do të lejohet të torturojë të tjerët, në asnjë vend të botës.

Zoti Bush foli gjithashtu lidhur me akuzat se Korea e Veriut ka fallsifikuar monedhën amerikane. Ai tha se duhen marrë masa për të mbrojtur interesat e amerikanëve dhe se kjo çështje nuk është e hapur për negociata, një përpjekje e qartë kjo për ta shkëputur këtë çështje nga bisedimet 6-palëshe për programin bërthamor të Phenianit.

Zoti Bush nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me fotografitë që mund të ketë bërë me lobistin tashmë të diskredituar të Uashigntonit, Jack Abramoff, duke thënë se nuk e ka njohur këtë njeri.

XS
SM
MD
LG