Lidhje

Kosumi: Me gjithë humbjen e presidentit Rugova, Kosova është e sigurtë për të ecur përpara


Në një interviste dhënë Zërit të Amerikës, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se pa dyshim që presidenti Rugova ishte një kolos i pavarësisë së Kosovës dhe natyrisht që do të hetohet zbrazëtia që është mbetur pas tij.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, vlerësohet se vdekja e presidentit Rugova ka lënë një boshllëk në skenën politike të Kosovës, sipas jush cila është trashëgimnia e tij politike?

Kryeministri Kosumi: Fillimisht ju them se çdo kolos kur shkon, lë prapa vetes një zbrazëti. Padyshim që presidenti Rugova ishte një kolos i pavarësisë së Kosovës dhe natyrisht që do të hetohet zbrazëtia që është mbetur pas tij, por në dekadat e fundit në Kosovë kanë ndodhur ngjarje me të vërtetë historike që kanë krijuar një bazë për një zhvillim më të gjatë dhe më të qëndrueshëm dhe jo që varet prej ditëve dhe prej kohëve. Kosova ka dëshmuar se ka një trung, ka rrënjët e qytetërimit të lashtë dhe është e përgatitur për të ecur përpara dhe për të qeverisur vetë e për të marrë përgjegjësitë për vetëveten dhe vendin e vet. Po ashtu klasa politike në Kosovë, institucionet e pushtetit këto vitet e pasluftës janë pjekur për të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe për të qeverisur vendin. Kur t’i kesh këto të gjitha parasysh, pavarësisht nga zbrazëtia e madhe që ka lënë presidenti, me një punë të përbashkët të institucioneve, të partive politike, të shoqërisë në Kosovë, ne do të gjejmë rrugën e duhur, do të gjejmë mënyrat e duhura dhe do të zëmë hapin për të përfunduar proceset e filluara dhe të projektuara për të përfunduar në vitin 2006 me bërjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës. Unë besoj se kjo do të ecë kështu.

Zëri i Amerikës: A mendoni se do të keni kurajo të mjaftueshme për të tejkaluar këtë zbrazëtirë? Kam parasysh këtu edhe pasqyrimin në aspektin kushtetues dhe ligjor që do të ketë mungesa e presidentit Rugova.

Kryeministri Kosumi: Unë besoj se po. Ne tash kemi ditët e zisë dhe në ditët e zisë nuk është koha të flitet për këto çështje, por unë besoj në vetëdijen dhe në kuptimin e secilit politikan në Kosovë, secilës forcë politike në Kosovë dhe në cilindo prej institucioneve të Kosovës, se procesi në të cilin ndodhemi tash e disa muaj dhe procesi i disa muajve të ardhshëm është aq i rëndësishëm, është procesi më vendimtar për Kosovën sa që do të trokasë në konceptin e secilit politikan, secilës forcë politike dhe do të shërbejë si zile për ta udhëhequr në veprime të duhura. Dua të them që askush, asnjë politikan dhe asnjë forcë politike dhe asnjë institucion nuk mund të mendojë diçka tjetër dhe të veprojë ndryshe përveç asaj që është qëllim një shekullor i popullit të Kosovës e që do të vendoset në muajt e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, thatë se është pak herët të bisedohet për aspektet politike, megjithatë tashmë po hidhen edhe ide se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të klasës politike në Kosovë, veçanërisht siç përmendëm edhe më herët në aspektin kushtetues dhe ligjor, sidomos kur kemi parasysh faktin se jemi para fillimit edhe formal të bisedimeve për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Si i parashikoni ju zhvillimet e ardhshme?

Kryeministri Kosumi: Ne e kemi shumë të qartë qëllimin tonë. Ne duam që këtë vit të përfundojë procesi i bisedave për statusin final të Kosovës dhe do të bëjmë atë që duhet të bëhet që kjo të ndodhë kështu, dhe nuk do të lejojmë që krejt ajo që varet prej nesh që edhe për një ditë të zgjasë ky proces. Ky është proces dhe interesi jetësor i popullit të Kosovës. Unë besoj në të, pasi shikoni edhe këto ditë e zisë çfarë ka ndodhur, me çfarë dinjiteti të madh populli i Kosovës ka dalë dhe ka bërë nderimet për njeriun e parë të Kosovës, në këto ditë të ftohta edhe minus 15 gradë celzius, kanë pritur me orë të tëra dhe shikoni sot si ka shkuar procedura, gjithçka ka qenë dinjitoze. E tërë kjo tregon për një vetëdije të lartë dhe për një rregull, për një logjikë të funksionimit të institucioneve, të funksionimit të shtetit që është krijuar edhe në praktikë nuk është vetëm si vetëdije në kokat tona, por funksionon edhe në praktikë. Unë besoj që edhe me presidentin e ri të Kosovës, edhe me çështje të tjera, me delegacionin e Kosovës, procedurat do të rrjedhin normalisht, do të shkohet sipas atyre procedurave, do të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, delegacioni i Kosovës do të funksionojë normalisht. Delegacioni i Kosovës ka përgatitur disa dokumente dhe është duke i përgatitur disa të tjera dhe gjithçka do të jetë në vendin e duhur. Unë dua të shtoj edhe faktin se ngjarje të tilla të mëdha, vdekjet e njerëzve të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar vetëm i kanë forcuar shqiptarët i kanë afruar më shumë me njëri-tjetrin dhe unë besoj se edhe tani do të ndodhë pikërisht kjo. //rd//

XS
SM
MD
LG