Lidhje

Veton Surroi: Jo e lehtë mbushja e zbrazëtisë që la Dr. Rugova

  • Linda Karadaku-Ndou

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë vendi i Presidentin Ibrahim Rugova në historinë e Kosovës moderne?

Veton Surroi: Ibrahim Rugova - Kryetari Rugova - do të mbahet mend si prijësi, i cili sublimoi kërkesat e shqiptarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të tjerë të Kosovës drejt pavarësisë dhe i sublimoi ato brenda një konteksti ndryshimesh epokale në Evropë. Për herë të parë u mishëruan interesat e shqiptarëve brenda lëvizjeve tektonike-historike në Evropë, kështu që shqiptarët e Kosovës dhe Kosova u identifikuan me zhvillimin e demokracisë liberale në Evropë.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, a do të jetë vështirë që të gjendet një president i ri, i cili do të ketë autoritetin që kishte Rugova, jo vetëm tek shqiptarët e Kosovës, por në përgjithësi?

Veton Surroi: Nuk duhet kërkuar .... Rugova ka qenë rast unikal. Kryetari ka lënë një boshllëk të jashtëzakonshëm në shumë segmente. Kështu që nuk duhet kërkuar zëvendësim me një njeri dhe dublikat nuk ka. Zoti Rugova ka lënë boshllëk në çështje të menaxhimit të LDK-së, kështu që ne, si grup opozitar, duhet të kemi si partnerë brenda Grupit Negociator, prijësin e ri të LDK-së, apo njeriun që do të menaxhojë LDK-në deri në një periudhë tjetër. Kryetarin e Kosovës duhet ta kemi një person, që nuk do të dublikojë rolin e Dr. Rugovës, mirëpo të ketë së paku premisa unifikuese, që ka pasë kryetari Rugova. Dhe, natyrisht, duhet të kemi një prijës të delegacionit të Kosovës. Nuk mund të shohë që dikush tjetër ta marrë (këtë post) automatikisht. Edhe natyrisht duhet ta vendosë tërë këtë kontekst brenda balancit të figurës që kishte Dr. Rugova karshi institucioneve. Shumë boshllëqe institucionale mbuloheshin me personalitetin e tij.

Zëri i Amerikës: Si duhet të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës që të kemi pakashumë një kalim normal të pushtetit?

Veton Surroi: Duhet të kemi atë pjesë të ndjesisë që kishte ndërtuar Dr. Rugova gjatë viteve të tëra dhe kjo është prirja drejt demokracisë liberale. Na nevojitet një njeri, i cili gëzon demokracinë e brendshme, që do ta instalojë brenda institucioneve, brenda partisë, brenda komunikimit me opozitën etj. Na nevojitet një pjesëtar i forcave demokratike që ekzistojnë padyshim edhe në LDK, edhe në partitë tjera dhe këtë duhet ta manifestojë organizata më e madhe politike në Kosovë, LDK-ja. Shpresoj që brenda një jave, jo më larg, të kemi një iniciativë, sepse jemi në një gjendje, kur duhet të hyjmë në negociata me struktura të qarta qeverisëse.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, ju thatë që brenda një jave do të kemi një iniciativë për këtë çështje. Nga kush do të vijë ajo?

Veton Surroi: Nuk thashë që do ta kemi, por shpresoj që do ta kemi. Shpresoj që do të ketë një pjekuri, posaçërisht një sens historik brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është organizata më e madhe, së cilës natyrisht në këto momente të rënda, të gjitha ne duhet ta ndihmojmë në kuptimin që të mos krijojmë telashe, por të japim mundësitë tona për të ndihmuar. //az//

XS
SM
MD
LG