Lidhje

Grupi ekstremist Hamas ka fituar 76 nga 132 vendet e parlamentit palestinez


Komisioni palestinez i zgjedhjeve thotë se grupi ekstremist Hamas ka fituar 76 nga 132 vendet e parlamentit palestinez.

Partia Fatah fitoi 43 vende në zgjedhjet e së mërkurës, në të cilat morën pjesë mbi 77 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Zyrtarët e Hamasit thonë se kërkojnë të fillojnë bisedimet lidhur me formën që do të marrë qeveria e re. Por, udhëheqësit e Partisë Fatah thonë se nuk do të bashkohen në një koalicion me Hamasin.

Zyrtarët parashikojnë që Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas t’i kërkojë së shpejti Hamasit të formojë qeverinë e re. Kryeministri Ahmed Qureia dhe kabineti i tij dhanë dje dorëheqjen.

Përkrahësit e Hamasit vërshuan në parlamentin palestinez në Ramallah dhe vendosën flamurin e këtij grupi mbi godinë.

Hamasi ka kryer sulme vetëvrasëse kundër izraelitëve dhe quhet organizatë terroriste nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Administrata e Presidentit Bush i ka bërë thirrje Hamasit të çarmatoset dhe t’i japë fund fushatës për shkatërrimin e shtetit hebraik.

XS
SM
MD
LG