Lidhje

Studjuesit: Vepra e Kadaresë një univers që të trondit me galerinë e personazheve të saj.


Sot është 70-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Me këtë rast në Shqipëri viti 2006 është cilësuar si viti i Kadaresë dhe i librit në përgjithësi. Ismail Kadareja është shkrimtari më i njohur shqiptar përtej kufijve të banuara nga shqiptarët, fitues i Çmimit Botëror për Letërsinë “Man Booker International”, disa herë kandidat per çmimin Nobel në Letërsi, një autor i përkthyer në shumë gjuhë të botës, që shpeshherë e kanë krahasuar me autorë të përmasave të tilla të mëdha si Dante, Balzak, apo Kafka. Për të diskutuar mbi karrierën e shkrimtarit, e cila shtrihet në 5 dekada, Zëri i Amerikës ftoi për një bisedë telefonike dy studjues të fushës së letërsisë: nga Shqipëria, profesor Ymer Çirakun shef i katedrës së Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tiranës dhe nga Kosova, Doktor Agim Vincën, studjues dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Zoti Çiraku, që nga fillimi i krijimtarisë të Kadaresë, me vëllimin e parë poetik “Frymëzimet djaloshare” e deri tek romani i tij më i fundit, si do ta vlerësonit evolimin e krijimtarisë së Kadaresë, çfarë tipare, apo veçori të stilit janë ruajtur, dhe çfarë elemente të reja ka fituar ajo?

Ymer Çiraku: Natyrisht, do të duhet një kohë e gjatë për të folur për këto specifika që përmendët konkretisht, por rëndësi ka të thuhet se Kadareja është bërë një emblemë e letrësisë shqiptare dhe tek ai fjala shqipe ka gjetur një mjeshtër të madh të përpunimit të saj artistik, madje mbarë kultura, do të thoja dhe mendimi intelektual shqiptar përmblodhi tek ai fjala shqipe ka gjetur një mjeshtër të madh të përpunimit të saj artistik, madje mbarë kultura dhe me përmasat e një fenomeni që tek ai vjen rrallë, por që fiksohen dhe qëndrojnë gjatë. Mendoj se e parë në tërësi, vepra e Kadaresë shfaqet si një univers që të trondit me galerinë e pafund të personazheve, me groteskun dhe tragjizmin njerëzor, me lirizimin dhe gjëmimet epike, do të thoja me apokalipset, tiranitë dhe rilindjen e popujve. Pra, ështrë një vepër komplekse, shumëplanëshe, polifonike; do të thosha se është dhe një vepër që ka një vazhdimësi, që ka një koherencë, në planin estetik, në planin stilistik. Natyrisht, në aspekte të përmabjtjes së saj, ajo sigurisht që ka evoluar, sigurisht që është përsosur më tej.

Zëri i Amerikës: Zoti Vinca, Kadareja është një shkrimtar i të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Atë e ka intriguar tema e Kosovës dhe e fatit të kombit shqiptar në përgjithësi. Sa popullore është vepra e tij në Kosovë?

Agim Vinca: Ismail Kadareja, siç kam theksuar edhe në fjalën që kam mbajtur me rastin e shpalljes së tij doktor nderi, i Universitetit të Prishtinës, dhe siç theksoi edhe kolegu ynë Çiraku nga Tirana, është pa dyshim njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, në mos më i madhi i të gjitha kohëve dhe ai është bërë tashmë një emblemë e kulturës shqiptare në botë. Vepra letrare e Ismail Kadaresë është një vepër e gjerë, e madhe, si sasi dhe e madhe me vlerat e saj, është një vepër që i takon mbarë kombit shqiptar dhe madje ka hyrë edhe në fondin kulturor të njerëzimit. Vepra letrare e Kadaresë ka qenë e pranishme në Kosovë, duke filluar nga gjysma e dytë e viteve ’60, sidomos nga viti ’68 e këndej; ajo është botuar dhe ribotuar vazhdimisht, ajo është lexuar dhe rilexohet, për të është shkruar dhe do të shkruhet e do të flitet edhe në të ardhmen; për të janë bërë vepra dhe studime monografike, nga aspekte të ndryshme, janë përgatitur edhe tema për dizertacione, të doktoratës, e kështu me radhë. Vepra letrare e Kadaresë është bërë e tillë ngaqë ajo kap nyjet kyçe të historisë shqiptare. Nuk ka ngjarje të historisë së popullit shqiptar, që nuk e trajton në një mënyrë, apo në një tjetër ky shkrimtar, duke filluar nga antikiteti, e deri tek periudha post-komuniste, tek periudha e tranzicionit. Në këtë kompleks, Ismail Kadareja si shkrimtar ka trajtuar edhe temën e Kosovës, të cilën ai e sheh si pjesë të etnisë shqiptare, edhe në poezi, edhe në prozë. Veçanërisht tek novela “Krushqit janë të ngrirë”, tek “Tri këngë zie për Kosovën” tek “Ra ky mort e u pamë”, e të tjera, Kadareja ka shqiptuar pikëpamjet e tij si për çështjen e Kosovës, përkitazinë për çështjen e Kosovës, përkitazinë me historinë e shqiptarëve, përkitazinë në historinë e Ballkanit në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Cila mendoni se është arsyeja që Kadareja vlerësohet nga publiku botëror, a ka të bëjë ky popullaritet thjesht me stilin e tij të veçantë, për shembull duke përdorur shpeshherë gjuhën e Ezopit, apo ka të bëjë me temat që ai lëvron, si për epokën e komunizmit, apo atë të mitologjisë?

Ymer Çiraku: Natyrisht, që Kadareja vlerësohet për të gjitha ato vlera humane, për të gjitha ato vlera universale që transmeton vepra e tij, natyrisht me një pikënisje nga një realitet konkret, nga një realitet shqiptar, madje do të thoja edhe nga realiteti ballkanik. Sigurisht, atij nuk i mjaftoi vetëm oborri i vendit të vet, oborri i Shqipërisë, oborri i Ballkanit; ai në veprën e tij ka transformuar, ka realizuar një mori mesazhesh, një mori kumtesh universale. Prandaj, kjo e bën veprën e tij mjaft të mirë. Nuk ma do mendja që janë disa kuriozitete të realitetit shqiptar ato që e bëjnë të vlerësuar veprën e Kadaresë në botë. Përkundrazi, edhe krahasimet, siç e tha edhe kolegu më përpara, krahsimet me të mëdhenjtë e letrave shqipe, me të mëdhenj të tillë, si Kafka, apo Shekspir, apo Dante, apo të tjera krahasime, të bërë nga kritikë, nga studjues shumë të autoritetshëm, natyrisht që ja bëjnë këtë vlerësim, ngaqë ai ka vlera shumë të mëdha.

Zëri i Amerikës: Zoti Vinca, universi Kadare shtrihet edhe në fusha si ajo e folklorit apo e historisë ballkanike të cilat i ka pasqyruar në shkrimet e tij. Çfarë të reje sjell Kadareja në këto lëmi?

Agim Vinca: Para se të flisja për këtë, unë do të thoja dy fjalë lidhur me këtë universalitet të veprës së Kadaresë. Vepra letrare e Kadaresë u krijua në pjesën dërrmuese të saj në kushtet e letërsisë së realizimit socialist, dmth në mungesën e lirisë së plotë krijuese. Por, Kadareja, me talentin e tij, arriti që të kalonte kufizimet që impononte koha dhe madje, t’ja rrënojë themelet sistemit totalitar. Vepret e tij “Pashallëqet e mëdha”, “Ura me tri harqe”, e të tjera, janë një metaforë e madhe e antitotalitarizmit. Ndërkaq, do të thosha se Kadareja u bë shkrimtar botëror, i vetmi shkrimtar shqiptar, madje që ka fituar në mënyrë të plotë statusin e shkrimtarit botëror, duke qenë shkrimtar thellësisht shqiptar, duke bërë sintezën e asaj që quhet kombëtare, lokale, me atë që është universale, e përgjithshme, gjithënjerëzore. Ndërkaq, korpusi letrar Kadare është i rëndësishëm edhe në planin e stilistikës. Kadareja është i rëndësishëm, në radhë të parë, me prozën e tij, me romanet e tij, ndonëse edhe si poet ka vlerat e tij. Por Kadareja është i rëndësishëm për kulturën shqiptare, madje më gjerë, edhe në eseistikën e tij. Duke filluar nga vepra “Autobiografi e popullit në vargje”, “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, “Eskili ky humbës i madh”, “Ftesë në studio”, “Pesha e Kryqit, “Dialog me Alen Boskenë”, e gjer tek më e fundit, “Dantja i pashmangshëm”, Kadareja ka treguar se ai jeton me problemet, qofshin letrare, kulturore, qofshin edhe politike, shoqërore. Nga ky aspekt, Kadareja mund të thuhet se është një zë i kohës, është një ndërgjegje e saj, është një ndërgjegje para së gjithash e botës shqiptare, e cila artikulohet në mënyrë të mrekullueshme në hapësirën shqiptare dhe në hapësirën e përgjithshme botërore.

Zëri i Amerikës: Zoti Vinca ju faleminderit për intervistën, kalojmë në një pyetje të fundit për zoti Çiraku, për një çështje që zoti Vinca sapo e përmendi. Kadareja bashkëjetoi gjatë me diktaturën komuniste. Për këtë arsye, ka patur polemika: disa e kanë kritikuar, duke thënë se ai i ka shërbyer pushtetit të asaj kohe, të tjerë thonë se ai u bë ushqim shpirtëror për të gjithë shqiptarët, një njeri që arrriti ta çajë izolimin. Cili është vlerësimi juaj?

Ymer Çiraku: Sigurisht, që është kjo e dyta, që ai u bë një ushqim shpirtëror për elitën intelektuale, për të gjithë letërsinë shqiptare, për të gjithë kulturën shqiptare. Është thënë ndonjëherë, është e natyrshme që të diskutohet në kuadrin e lirisë që ka sot për diskutime, opinione e të tjera, se ai shkroi në kohën e oborrit, në kohën e komunizmit, e të tjera, dmth-në brenda oborrit. Ai shkroi në kohën e oborrit, por vetëm kaq. Atë nuk e lidh ndonjë gjë kushedi se sa e madhe. Natyrisht, ndonjë haraç, ose ndonjë taksë e natyrshme që ai do t’ja paguante asaj kohe, por nuk ka të bëjë absolutisht fare me tërësinë e vlerave të veprës së tij. Ai nuk e sakrifikoi absolutisht tërësinë e veprave të tij, që mbetet një thesar i kulturës shqiptare. Dhe që vazhdon të vlerësohet. Le të mos harrojmë, që vepra e Kadaresë në disa dekada të gjithë krijuesit bashkëkohës të tij, e kanë parasysh, sepse ai ka qenë një pikë referimi, natyrisht, në sensin pozitiv të një arti shumë bashkëkohor, të një arti modern, dhe kanë parë tek ai vërtet modelin se ku duhet të shkojë letërsia. Në këtë kuptim, do të thoja që vepra e Kadaresë mbetet një thesar i vyer i letërsisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG