Lidhje

Fitorja e Hamasit vë në rrezik mbështetjen ndërkombëtare për Autoritetin Palestinez


Që pas fitores së Hamasit në zgjedhjet e fundit parlamentare të palestinezëve, shumë spekulime janë ngritur lidhur me mënyrën se si ata do të qeverisin. Komuniteti ndërkombëtar po shqyrton qëndrimin e tij ndaj kësaj organizate islamike:

Administrata e Presidentit Bush, e cila është shprehur me forcë në mbështetje të demokracisë në Lindjen e Mesme, ka shpenzuar afro 2 milion dollarë për të përkrahuar Autoritetin Palestinez para zgjedhjeve të fundit. Por kjo shumë me sa duket nuk qe e mjaftueshme për të bindur votuesit se partia që më parë drejtohej nga Yaser Arafati, mund të qeveriste në interes të tyre.

Ja si u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormek: "Procesi demokratik është nganjëherë i rrëmujshëm. Aktualisht po shohim fillimet e procesit të shprehjes së lirë të vullnetit të njerëzve, jo përmes bombave, apo armëve të zjarri, por përmes votës. Mësimi që mund të nxjerrim është se populli palestinez votoi për ndryshime, pasi votuan kundër korrupsionit, kundër praktikave të qeverisjes së keqe, ata votuan kundër institucioneve që nuk i meritonin."

Fitorja dërrmuese e Hamasit vë në rrezik miliona dollarë ndihma të huaja për palestinezët. Ish presidenti amerikan Xhimi Karter i tha Presidentit palestinez Mahmud Abaz se Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të ndërpresin fondet për Autoritetin Palestinez sapo të marrë kontrollin Hamasi. "Do të ishte ligjërisht e pamundur tani për qeverinë amerikane të njohë qeverinë e re nën kontrollin e Hamasit, pasi kjo organizatë njihet zyrtarisht si një grup terrorist nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara dhe nga Presidenti, dhe nuk mendoj se ka mundësi të miratohet një ligj i ri për të ndryshuar situatën," tha ish presidenti amerikan.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Skot Mklellan tha se Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë ndihmat për palestinezët. "Pikëpamjet tona janë shumë të qarta kur është fjala tek Hamasi. Për sa u përket ndihmave që japim, nëse Hamasi është në pushtet, ne kemi një kornizë specifike ligjore lidhur me politikat. Ne do t’i referohemi kësaj kornize," tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Këtë vit Shtetet e Bashkuara kishin në plan të kontribuonin 84 milion dollarë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihma, e cila u shërben refugjatëve palestinezë si dhe 150 milion dollarë të tjera për organizatat joqeveritare. Komisioni Evropian, i cili ofroi 342 milion dollarë për popullin palestinez vitin e kaluar, pohoi se është në dilemë për vazhdimin e fondeve. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Komisioni Evropian theksojnë se Hamasi duhet të heqë dorë nga dhuna dhe nga objektivi për shkatërrimin e Izraelit.

Rezultatet e zgjedhjeve palestineze do të diskutohen të hënën në Londër në takimin e Sekretares së Shtetit Kondoliza Rajs me udhëheqës rusë, evropianë dhe të Kombeve të Bashkuara. Këto forca politike ndërkombëtare, që njihen me termin “kuarteti” i ndërmjetësve ndërkombëtarë të paqes do të takohet për të diskutuar qëndrimin në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG