Lidhje

Ndikimi i Lojërave Olimpike në zhvillimin ekonomik të qytetit organizator


Ndërsa vëmendja e botës drejtohet nga Lojërat Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Torino, të Italisë, organizatorët lokalë po shpresojnë që paraqitja e kësaj ngjarjeje nga mediat ndërkombëtare do ta ndihmojë ekonominë e mbarë rajonit. Kjo është njëra prej arsyeve përse qytetet e mbarë botës konkurrojnë intensivisht që lojërat të zhvillohen në vendin e tyre. Teorikisht, rritja e investimeve dhe turizmi do t’i mbulojnë dhe tejkalojnë miliarda dollarët e nevojshme për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive ndërkombëtare. Por, ndikimi ekonomik afatgjatë i Lojërave Olimpike është i kufizuar.

Në qytetin Salt Lake të shtetit Utah, në Perëndim të Shteteve të Bashkuara, Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2002 i takojnë tashmë historisë. Lojërat u konsideruan si një sukses i madh financiar. Të ardhurat nga burimet private, kryesisht nga reklamat dhe transmetimet televizive, jo vetëm që i mbuluan shpenzimet, por siguruan 100 milionë dollarë për komunitetin.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë së qytetit Salt Lake, Lane Beattie, thotë se qyteti tani ka hyrë në rrugën e një rritjeje ekonomike me një vlerë prej mbi 2,5 miliardë dollarësh, si rezultat Lojërave Olimpike. "Dukej sikur e gjithë bota ishte mbledhur në Utah...."

Industria e skive konsiderohet si një nga ato që nxjerrin më shumë fitime nga Lojrat Olimpike. Krista Peri, zëdhënëse e qendrës turistike Park City Mountain, thotë se industria e skive ka shënuar një rritje mbi 12 për qind që nga viti 2002. "Park City përmendej në të gjitha mjetet e medias dhe për mendimin tim kjo është diçka e madhe. Askund nuk mundet ta gjesh një ekspozim të tillë.

Disa vizitorë të Park Citit, si Mike Hamlin, thonë se kanë ardhur këtu për shkak të Lojërave Olimpike. "Fillimisht ne i kishim drejtuar sytë nga Park City dhe kishim menduar për të ardhur për Lojërat Olimpike, por në atë kohë ishte e kushtueshme për të shkuar atje me të gjithë familjen. Prandaj, kur erdhi rasti përsëri, ne na u dha mundësia ta realizonim dëshirën tonë."

Të tjerë, si Katherine Rollin thonë se Lojërat Olimpike nuk patën ndikim në vendimin e tyre për të ardhur në Utah. "Ne kemi qenë këtu edhe më parë sepse na pëlqen të bëjmë ski."

Sigurisht, që industria e skive ka përfituar nga Lojërat Olimpike, por ndikimi i tyre tek ekonomia është më pak i qartë. Qendra tregtare Gateway, që u hap me rastin e Lojërave Olimpike, vazhdon të ketë shumë klientë, por në dyqanet e qendrës së qytetit xhiroja ka rënë ndjeshëm.

Shumica e 100 milionë dollarëve që i dhanë komunitetit organizatorët e Lojërave Olimpike po përdoren për mirëmbajtjen e pistave të skive dhe platformave të hedhjes. Këto objekte u ndërtuan me rastin e Lojërave Olimpike dhe tani ato nuk tërheqin një numër të madh klientësh. Një pjesë e rëndësishme e shpenzimeve për Lojërat Olimpike që bëri qeveria federale, siç janë masat e sigurisë gjatë lojërave dhe përmirësimi i gjendjes së rrugëve nuk përfshihen në të ardhurat nga Lojërave Olimpike.

Kenenth Bullock, Drejtor i Ligës së Qyteteve thotë se pavarësisht nga parimet e caktuara të Lojërave Olimpike për paanësi dhe korrektesë, Komiteti Ndërkombëtar dhe mbështetësit e tij financiarë, e shohin këtë si një rast për të nxjerrë fitime për vete dhe jo për komunitetin e gjerë. "Ajo që ndodh në të vërtetë këtu, është se bëhet biznes. Komiteti i Lojërave Olimpike, televizionët dhe sponsorët vijnë këtu për të promovuar prodhimet e tyre dhe që ne të mendojmë se njerëzit nuk do të nxjerrin përfitime financiare nga kjo ngjarje, është paksa naive nga ana jonë."

Në afat të gjatë, përfitimet ekonomike nga Lojërat Olimpike mund të jenë minimale. Ekonomisti në Universitetin Utah, Xhejms Vud, e krahason ndikimin ekonomik të Lojërave Olimpike me ardhjen në rajon të një kompanie të madhe, si Intel. "Në se kompania Intel vjen këtu, ajo do të sillte me vete 6 mijë punonjës, gjë që do të ndikonte së tepërmi në zhvillimin ekonomik të këtij shteti. Me këtë rast këtu vijnë edhe kompani të tjera. Lojërat Olimpike i japin një zhvillim të menjëhershëm ekonomisë, infrastrukturës, që është gjë shumë e mirë, por kjo nuk do të kishte një ndikim afatgjatë dhe për një familje të zakonshme kjo nuk do të ndikonte shumë."

Zoti Wood thotë se megjithë planet dhe premtimet, një ngjarje po as prestigjoze sa edhe Lojërat Olimpike, zgjat vetëm 17 ditë dhe më pas, gjithshka i përket vetëm historisë.

XS
SM
MD
LG