Lidhje

Presidenti Bush i bën thirrje Senatit të miratojë gjykatësin Alito për në Gjykatën Supreme


Në fjalimin e tij radiofonik javor Presidenti Bush i bëri thirrje Senatit që të konfirmojë kandidatin e emëruar për në Gjykatën e Lartë, Samuel Alito. Sentorët demokratë thonë se do të përpiqen të shfrytëzojnë një klauzolë proceduriale për të bllokuar votimin dhe vonuar konfirmimin e gjykatësit Alito.

Presidenti Bush thotë se senatorët, në bazë të kushtetutës, kanë përgjegjësi për të votuar pro apo kundër emërimit të gjykatësit Alito në gjykatën më të lartë amerikane. “Në gjithë historinë 216-vjeçare të senatit, senatorët kanë votuar pro apo kundër dhe shumica ka vendosur për çdo kandidat për në Gjykatën Supreme. Gjykatësi Alito ka treguar se është tepër-tepër i kualifikuar për të shërbyer në gjykatën më të lartë të vendit dhe Amerika është me fat që ka një njeri të tillë me integritetin dhe intelektin që e karakterizon, i cili është i gatshëm të shërbejë”.

Komisioni Ligjor i Senatit i dha mbështetjen gjykatësit Alito këtë javë pas një votimi në bazë të përkatësisë partiake: 10 republikanë pro, 8 demokratë kundër.

Republikanët i kanë votat e nevojshme për konfirmimin e gjykatësit Alito, por senatorët demokratë nga shteti Massachussetts, Gjon Kery dhe Ted Kenedi, u shprehën se po përpiqen të organizojnë një manovër bllokuese legjislative që do të vononte hedhjen në votë të kandidaturës.

Por, jo të gjithë demokratët e përkrahin këtë konfrontim. Dhe Presidenti Bush përmendi në fjalimin e tij disa demokratë që mbështesin kandidaturën, përfshirë guvernatorin e Pensilvanisë, Ed Rendell, dhe senatorin nga Virgjinia Perëndimore, Robert Bërd.

Presidenti Bush thotë se gjykatësi Alito ka fituar respektin e kolegëve dhe juristëve të të gjithë spektrit politik gjatë karrierës së tij. “Siç dëshmuan amerikanët gjatë senacave me pyetje-përgjigje për konfirmimin e gjykatësit Alito, ai është njeri me karakter dhe integritet të admirueshëm. Ai ka më shumë përvojë gjyqësore para emërimit se çdo kandidat tjetër për në Gjykatën Supreme në më shumë se 70 vjet. Ai e kupton se roli i një gjykatësi është vetëm intepretimi i ligjit dhe jo të shkojë pas bindjeve të veta personale e politike”.

Demokratët e kundërshtojnë kandidaturën e zotit Alito, pasi druhen se kjo do ta bënte Gjykatën Supreme më konservatore duke zëvendësuar gjykatësen Sandra Dej O’Connor, e cila del në pension dhe konsiderohet e moderuar. Vota e saj ka qenë shpesh përcaktuese në vendime lidhur me të drejtat për abort e çështje të tjera.

Udhëheqja republikane në Senat ka caktuar një votim mbi emërimin e gjykatësit Alito për të martën që vjen. Ky votim u jep atyre mundësinë që konfirmimi të bëhet para fjalimit vjetor mbi gjendjen e vendit që presidenti Bush do të mbajë në Kongres të martën në mbrëmje. //az//

XS
SM
MD
LG