Lidhje

Shqipëri: Policia intensifikon kontrollet për bllokimin e narkotikëve


Policia në Jug të Shqipërisë po intensifikon kontrollet për bllokimin e sasive të lëndëve narkotike dhe frenimin e trafiqeve të paligjshme. Në Vlorë policia bllokoi mbi 200 kg bimë hashashi duke shpallur në kërkim dy persona.

Vetëm gjatë këtij muaji policia e Vlorës ka arritur të sekuestrojë disa dhjetëra kilogramë hashashi kryesisht në zonën rurale. Vlora ishte në verën e vitit të shkuar zona më e prekur nga kultivimi i narkotikëve, megjithë angazhimin e policisë në operacione për shkatërrimin e sipërfaqeve të mbjella me hashash.

Po në këtë qytet policia po heton mbi pronarët e një gomoneje që u gjet dy ditë më parë e braktisur dhe që dyshohet se shërbente për transportimin e lëndëve narkotike drejt Italisë.

Kontrollet policore u riaktivizuan në Vlorë, pasi polica italiane njoftoi pak ditë më parë për bllokimin e një gomoneje në Jug të Italisë dhe arrestimin e dy shtetasve shqiptarë.

Gomonia e bllokuar nga roja bregdetare italiane, dyshohej se kishte transportuar lëndë narkotike nga Shqipëria. Në Gjirokastër ndërkaq shërbimet e policisë kufitare kanë kthyer pas disa dhjetëra shtetas shqiptarë që kanë synuar të kalojnë pa dokumnete kufirin e Shqipërisë me Greqinë. Policia po kryen hetime nëse bëhet fjalë për rrjete të organizuara të trafikut të emigrantëve të paligjshëm.

XS
SM
MD
LG