Lidhje

Doneli: Perëndimi do të ndjekë tani me vëmendje zhvillimet në Kosovë


Presidenti Rugova ishte një figurë dominuese në politikën e Kosovës, një fakt tregues se politikat e tij paqësore dhe qëndrimi i moderuar kishin gjetur vend në zemrat e shqiptarëve, thekson analisti i Institutit Amerikan Enterprise, Tomas Doneli. Ky fakt, thekson analisti, eliminon shqetësimet për radikalizimin e mundshëm të politikës në Kosovë. Zoti Doneli paralajmëroi se Perëndimi do të ndjekë me vëmendje zhvillimet dhe se është tani përgjegjësia e klasës politike në Kosovë për të treguar pjekuri dhe moderim:

Zëri i Amerikës: Zoti Doneli, si do të ndikojë vdekja e Presidentit Rugova në klimën politike në Kosovë. Shumë analistë kanë ngritur shqetësimin se mund të nxisë radikalizimin e frymës politike. Si mendoni ju?

Tomas Doneli: Ka deri diku vend për shqetësim. Këtë shqetësim e kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Por mendoj se ky shqetësim është ekzagjeruar. Nuk është e rastit që Dr. Rugova ishte figura dominuese në politikën e Kosovës: arsye ishte qëndrimi i tij paqësor, dhe aftësia për të bashkuar fraksionet. Ai ishte përfaqësues i aspiratave për pavarësi, por ishte njëkohësisht një njeri paqësor dhe me këtë qëndrim ai gjeti vend në zemrat e kosovarëve. Kosova ka njohur dhunë ekstreme dhe të gjithë shpresojmë që askush të mos dëshirojë më dhunë. Shpresojmë se edhe pas vdekjes së Dr. Rugova, fryma e tij të mbijetojë. Mendoj se momenti për radikalizim ka kaluar, që pas përfundimit të konfliktit dhe mendoj se kosovarët e kuptojnë se procesi politik që ka filluar dhe që po mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe evropianët ka shumë gjasa t’i çojë drejt pavarësisë. Logjika e do që ata të tregohen të moderuar. Nëse tregohen disi të duruar, procesi pritet të përfundojë me pavarësinë. Në këtë moment, nxitja e fraksioneve nuk do të bëjë tjetër veçse do të ngadalësojë procesin.

Zëri i Amerikës: Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të zgjedhin një President të ri, i cili të punojë drejt konsensusit. Sa e realizueshme mendoni është kjo, ndërkohë që edhe kur Presidenti Rugova ishte ende gjallë pamë prirje për luftën për pushtet:

Tomas Doneli: Deri diku kështu është politika. Në demokraci politika ka pikërisht këtë mision: të ndihmojë njerëzit të zgjidhin marrëdhëniet politike dhe marrëdhëniet në strukturën pushtetore. Megjithë anët pozitive të karakterit të Presidentit Rugova, ai ishte nganjëherë i pavendosur dhe në disa raste e kishte të vështirë të tregonte një rol të fortë udhëheqës. Pra ky moment ofron një mundësi për një brez të ri të udhëheqësve të Kosovës të marrin situatën në dorë. Ndoshta nga kjo luftë për pushtet do të dalë në skenë një figurë e re, një udhëheqës i cili të jetë njëkohësisht i fortë dhe i vendosur në politikën e brendshme për të bashkuar në një qëndrim të vetëm forcat politike, por të vazhdojë edhe procesin për ta çuar Kosovën drejt fazës së re të jetës së saj politike, e cila me pak durim, ka shumë shanse të jetë pavarësia.

Zëri i Amerikës: Pasi të rifillojë procesi i negociatave, sa i vështirë mendoni se do të jetë ai? Cilat janë disa nga pengesat kryesore që mendoni se do të ndeshen?

Tomas Doneli: Havier Solana është shprehur se do të ketë një ngadalësim të procesit. Evropianët do të presin për të parë nëse do të vërtetohen shqetësimet e tyre për radikalizim. Pra udhëheqja e Kosovës ka tani përgjegjësinë për të treguar se çdo gjë do të shkojë si duhet. Këtë shqetësim e kanë edhe vende të tjera në rajon. Do të ketë një periudhë ndërprerjeje, por shpresojmë të jetë sa më e shkurtër. Ka gjithashtu të ngjarë që pasi të shohim një udhëheqje të re të dalë në skenën politike të Kosovës, procesi mund të përshpejtohet. Nëse në skenë dalin udhëheqës të vendosur dhe të fortë ka shumë të ngjarë që procesi të vazhdojë. Për shumë vite kemi hedhur këtë valle të gjatë rreth urës së pavarësisë, dhe tani ka ardhur koha ta kalojmë këtë urë.

Zëri i Amerikës: Procesi i decentralizimit është një ndër temat e para që do të diskutohet në negociatat për status. Shqiptarët në Kosovë kanë ngritur idenë që të njëjtat të drejta që kërkon Beogradi për pakicat serbe në Kosovë duhet t’u njihen edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës. A mendoni se ekziston një paralelizëm ndërmjet këtyre dy situatave?

Tomas Doneli: Nuk mendoj se çështja thelbësore është forma e decentralizimit. Çështja thelbësore janë të drejtat legjitime të pakicave dhe mbrojtja e tyre nga qeveria. Decentralizimi është më tepër një strategji negociimi. Por parimi i vërtetë është që qeveritë, qofshin në Beograd, Prishtinë apo kudo gjetkë duhet t’u garantojnë pakicave të tyre mbrojtje. Çështja e decentralizimit është thjesht një term për çështjen më thelbësore të garancive për të drejtat e pakicave. Zgjidhja e problemit qëndron tek parimi. Decentralizimi, si mekanizëm, nuk është në vetvete një zgjidhje më e mirë se një qeveri e centralizuar. Në përvojën amerikane, një qeveri legjitime qendrore u ka siguruar mbrojtjen më të mirë pakicave. Pra një qeveri qendrore që ka fuqinë për të mbrojtur pakicat që ndodhen larg kryeqytetit është garancia më e mirë e të drejtave politike të pakicave. Është e rëndësishme të shmanget një proces që çon në kantonizim. Prirja që ka marrë debati mbi decentralizimin është shqetësuese, pasi mund të shndërrohet në shtytje drejt ndarjeve territoriale, në vend që t’i shërbejë një bashkimi më të fortë. Pra ky debat, në vend që të marrë në shqyrtim parimin e të drejtave të pakicave drejtpërdrejt, e ka shndërruar këtë parim në një temë të dorës së dytë.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se do të ishit në vendin e Martii Ahtisarit dhe do të uleshit me palët në tryezën e bisedimeve, çfarë do të bënit?

Tomas Doneli: Pikësëpari, do të përpiqesha të theksoja qëndrimin e zotit Rugova. Si të gjithë politikanët, ai nuk ishte i përkryer, por dëshira e tij për politika paqësore, shpresoj të jetë trashëgimia që na la pas. Mendoj se ka ardhur koha t’i afrohemi direkt urës së pavarësisë. Ky është një proces i vështirë, por nuk do të bëhet më i thjeshtë me kalimin e kohës. Kosova ka përjetuar një periudhë qetësimi që pas konfliktit dhe mendoj se ka ardhur koha për negociatat përfundimtare. Shtetet e Bashkuara dhe me sa duket edhe evropianët e kanë pranuar se pavarësia është e vetmja zgjidhje e pranueshme. Do të jetë e vështirë të bindet edhe Beogradi për këtë, por gjendja në Ballkan ka ndryshuar. Pasi të kalojë një periudhë e logjikshme zije për Presidentin Rugova, do të vijë koha për punë serioze për të shënuar përparim jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin që ishte ish-Jugosllavia. Është koha që popujt e rajonit të mësojnë përsëri të bashkëjetojnë në paqe dhe të kapërcejnë shkatërrimet që kaluan në 15 vitet e fundit.//ii//
XS
SM
MD
LG