Lidhje

Senati amerikan miraton kandidaturën e Samuel Alitos, si anëtar të Gjykatës së Lartë


Senati amerikan konfirmoi gjykatësin Samuel Alito si anëtar të Gjykatës së Lartë në një votim kryesisht në linja partiake. Ai do të jetë anëtari i 110-të i Gjykatës së Lartë, duke zënë vendin e gjykatëses Sandra Day O’Connor.

Senatori republikan Ted Stevens deklaroi rezultatin e votimit, gjatë drejtimit të seancës.

“Votat pro janë 58 dhe ato kundër 42. Kandidatura e Samuel Alitos, emëruar nga Presidenti për postin anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, miratohet”.

Votimi u bë në përgjithësi në linja partiake dhe vetëm njëri nga republikanët e shumicës në senat votoi kundër gjykatësit Samuel Alito. Vetëm katër nga demokratët votuan pro.

I vetmi republikan që kundërshtoi emërimin e Alitos ishte Senatori Lincoln Chafee që përballet me një fushatë të ashpër për rizgjedhje këtë vit në shtetin Rode Island, që dominohet nga demokratët.

Votimi për konfirmim ishte përfundimi i një debati të hidhur politik mbi emërimin që zgjati për javë të tëra, në fillim të një viti kur mbahen zgjedhjet për Kongresin.

Demokratët shprehën shqetësim se gjykatësi Samuel Alito, një konservator do të ndryshonte ekuilibrin ideologjik të gjykatës, duke vënë në dukje se ai zë vendin e gjykatëses së moderuar Sandra Day O’Connor, që shpesh ka hedhur votën vendimtare për çështje delikate ku votat janë ndarë katër me pesë. Senatori demokrat Patrick Leahy thotë:

“Presidenti vazhdon të zgjedhë rrugën e përplasjes, në vend të konsensusit dhe të përçajë, në vend që të bashkojë, siç u premtoi amerikanëve. Në vend që të emëronte dikë që të përfaqësonte të gjithë amerikanët, presidenti zgjodhi një figurë përçarëse që shkakton shqetësime të mëdha për rolin e tij për kontrollin e pushtetit të presidentit”.

Republikanët e vlerësuan Aliton, duke thënë si ai është shumë i kualifikuar dhe kritikuan demokratët duke thënë se kishin shtrembëruar faktet. Ja ç’thotë Senatori Jeff Sessions i Alabamës.

“U shqetësova shumë kur pashë se si ky kandidat, shembull i një gjykatësi të vetëpërmbajtur, parimor dhe të respektuar, u paraqit si radikal. Sinqerisht, nuk arrij ta kuptoj”.

Alito, bir i një emigranti italian, ka qenë avokat dhe prokuror para se të bëhej gjykatës apeli para 15 vjetësh. Gjatë seancave të konfirmimit në senat, ai u përpoq t’i siguronte ligjvënësit se nëse bëhej anëtar i gjykatës së lartë, nuk do të paragjykonte asnjë çështje.

XS
SM
MD
LG