Lidhje

Vdes, në moshën 78-vjeçare, e veja e Martin Luthër Kingut

  • Majk Kuper

Koretta Scott King , e veja e udhëheqësit të të drejtave civile, të ndjerit Martin Luthër King, vdiq mbrëmë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike Cooper nga Atlanta, zonja King ka qenë e sëmurë që kur pësoi një goditje në tru verën e kaluar:

Flamujt ishin ulur në gjysëm shtize në Qendrën e Martin Luthër Kingut në Atlanta, me hapjen e lajmit për vdekjen e së vesë së Martin Luthër Kingut. Qendra bëri me këtë rast një deklaratë të shkurtër, ku thuhej se zonja King vdiq mbrëmë në moshën 78-vjeçare. Koreta King u shtrua në spital për disa javë në muajin gusht, pasi kaloi goditje cerebrale dhe infarkt që i morën asaj aftësinë e të folurit. Gjendja e shëndetësore nuk e lejoi atë të marrë pjesë në ceremonitë që u zhvilluan në fillim të janarit në Atlantë, me rastin e ditëlindjes së bashkëshortit të saj të ndjerë, megjithëse u shfaq për pak kohë në një darkë që u mbajt me këtë rast.

I përndershmi Jozef Loueri, i cili u vu në postin e Presidentit të të Konferencës Kristiane të Jugut pas vrasjes së Martin Luthër Kingut në vitin 1968, tha se zonja King nuk u përpoq të zinte vendin e të shoqit, si udhëheqës i organizatës së të drejtave civile, por se ajo e ka mbështetur kurdoherë lëvizjen e të drejtave civile.

"Në çdo rast ajo tregonte mbështetjen e saj për lëvizjen e të drejtave civile. Ajo merrte pjesë në marshimet e organizuara. Ajo ishte kurdoherë në detyrë, si nënë, si qytetare, si figurë e veçantë dhe sidomos, si e veja e Martin Luthër Kingut, që kishte detyrimin të mbante lart stafetën e tij" - thotë i përndershmi Loueri.

Zonja King krijoi Qendrën e Martin Luthër Kingut për Ndryshime Sociale jo të dhunshme në Atlantë, pas vdekjes së të shoqit. Ajo zhvilloi për vite me radhë fushatë për festën kombëtare të Martin Luthër Kingut, që këtë vit u përkujtua për të njëzetën herë. Zonja King ishte Kryetare e Bordit të Qendrës King deri në vitin 1994, kur ja la këtë post njërit prej 4 fëmijëve të tij.

Presidentja e Shoqatës së Gjeorgjisë për Zyrtarët me Ngjyrë të Zgjedhur, Tyrone Brooks, aktiviste për një kohë të gjatë e të drejtave civile, e vlerësoi zotin King si një kampion të palodhur të çështjes së të drejtave të njeriut në mbarë botën:

"Jam e lumtur që zonja King jetoi deri në rreth 80 vjet. Ajo e humbi të shoqin kur ishte vetëm 39 vjeç. Rriti fëmijët e tyre. Ajo ndërtoi Qendrën e Martin Luthër Kingut për Ndryshimet Sociale pa Dhunë. Ajo u bë ambasadore ndërkombëtare e legjitimitetit të burrit të saj. Zonja King do të mbetet në histori si një udhëheqëse e madhe"- thotë aktivistja.

Zonja Koreta King lindi në vitin 1927 në Alabama, bijë e pronarit të dyqanit të fshatit. Ajo u njoh me Martin Luthër Kingun, kur ai studjonte në Universitetin e Bostonit dhe ajo vazhdonte shkollën e muzikës, për t’u bërë këngëtare. Çifti u martua në vitin 1953 në Alabama, vetëm pak para se i përndershmi King u bë i njohur si prift në Montgomery të Alabamës, ku ai udhëhoqi një protestë me bojkotim autobuzash, që në fakt shënoi pikën e kthesës në lëvizjen amerikane të të drejtave civile. //lk

XS
SM
MD
LG