Lidhje

Bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës mund të fillojnë në fund të shkurtit


Zëvendësi i të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan tha sot se bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës mund të fillojnë nga fundi i muajit të ardhshëm. Udhëheqësit serbë në Kosovë thanë sot se zoti Rohan u kishte thënë atyre se bisedimet mund të fillojnë në javën e fundit të shkurtit.

Zoti Rohan i cili ndodhet për vizitë në Kosovë u takua me politikanët serbë të Kosovës sot në Prishtinë. I dërguari i OKB-së për bisedimet e statusit, Marti Ahtisari, pritet të jetë në krye të bisedimeve të Vienës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës, pakicës së saj serbe dhe qeverisë serbe.

Putin: Pavarësia për Kosovën mund të krijojë një precedent të rrezikshëm

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se pavarësia për Kosovën mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për rajone të tjera të botës, si Kaukazi. Presidenti Putin tha sot gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp në Kremlin se në se Kosovës mund t'i jepet pavarësia e plotë, atëhere Abkazisë dhe Osetisë Jugore nuk duhet t'u mohohet një gjë e tillë. Ai shtoi se për zgjidhjen e konflikteve duhet të zbatohen parime universale.

Abkazia dhe Osetia Jugore shpallën pavarësinë nga Gjeorgjia në fillim të viteve 90-të. Gjeorgjia e akuzon Rusinë për mbështetjen e provincave rebele, të cilat njihen nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e Gjeorgjisë.

Këto komente presidenti rus i bën ndërkohë që Kombet e Bashkuara përgatiten të fillojnë muajin e ardhshëm bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG