Lidhje

Presidenti Bush thotë se amerikanët nuk duhet ta humbin besimin tek aftësia udhëheqëse e vendit


Presidenti Bush u bëri thirrje amerikanëve që të mos humbasin kurrë besimin tek aftësia e vendit të tyre për të udhëhequr.

Presidenti e bëri këtë thirrje sot në Nashville të shtetit Tenesi. Gjatë fjalimit ai foli rreth shumë prej çështjeve që përmendi mbrëmë në fjalimin vjetor mbi gjendjen e vendit.

Presidenti tha se e kupton se mund të ketë pasiguri mes disa amerikanëve sepse vendi është në luftë, por ai shtoi se strategjia e qeverisë së tij është fitorja e luftës kundër terrorizmit dhe asnjëherë dorëzimi.

Presidenti u zotua për të fituar luftën në Irak, duke thënë se objektivi është që ai vend të bëhet demokraci e aftë të vetë-mbrohet.

Presidenti Bush foli në Sallën e rinovuar të shfaqjeve Grand Opry House në Nashville. Gjatë kësaj jave, presidenti ka në plan të bëjë udhëtime të tjera për të siguruar mbështetje për programin e tij për vitin 2006, i cili përfshin çështje të tilla si kujdesi shëndetësor, ekonomia dhe pakësimi i varësisë së Amerikës nga nafta e vendeve të tjera.

Përpjekjet e presidentit për të shtuar mbështetjen bëhen në një vit kur miratimi i politikave të tij ka rënë ndjeshëm. Përkrahësit e tij shpresojnë që këto fjalime do të rigjallërojnë presidencën e tij, ndërsa partia repuiblikane përgatitet për zgjedhjet e nëntorit për në kongres.

XS
SM
MD
LG