Lidhje

Majko: PS, e hapur për bashkëpunim me LSI-në, pa asnjë lloj kushti

  • Intervistoi: Konda

Në Shtetet e Bashkuara është bërë traditë, që çdo vit, të enjten e pare të muajit shkurt, zhvillohet ceremonia kombëtare e Mëngjezit të Lutjeve në Washington. Në këtë ceremoni merr pjesë Presidenti Bush, senatorë dhe kongremenë amerikanë dhe vijnë edhe tre mijë të ftuar nga e gjithë bota, diplomatë, udhëheqës politikë dhe fetarë. Si çdo vit, për të marrë pjesë në Mëngjezin e Lutjeve ndodhet edhe një delegacion nga Shqipëria, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Pandeli Majko, të cilin Zëri i Amerikës e intervistoi në programin televiziv "Ditari ".

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju vini për të marrë pjesë në Mëngjezin e Lutjeve në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Socialistëve, Partia më e madhe e opozitës në Shqipëri. Mëngjezi i Lutjeve është veç të tjerash edhe një mënyrë për krijimin e kontakteve me amerikanët dhe udhëheqësit botërorë të ftuar. Çfarë takimesh pritet të keni këtë herë?

Pandeli Majko: Së bashku me një grup kolegësh, jo vetëm të majtë, por edhe të djathtë, mbase ky është momenti më pozitiv i kësaj vizite të përbashkët, e cila ndodh, siç thatë edhe ju një here në vit, çdo dy shkurt, është një lidhje do të thosha në radhë të pare njerëzore, pastaj shpirtërore, me një grup të veçantë të Kongresit amerikan. Ne vijmë me ftesën e tyre në këtë aktivitet dhe sigurisht, si edhe më përpara, ky aktivitet përdoret për takime të natyrave të ndryshme, shpesh edhe protokollare, shpesh edhe takime të rendësishme. Kam parasysh edhe ata që janë përfaqësues të qeverisë, kurse për ne të opozitës, sigurisht që ne takojmë miqtë e vjetër, apo miqtë e rinj. Shyqyr, këtu në Washington kemi se kë takojmë, kemi siç e thashë miq, me të cilët ndajmë jo vetëm opinione politike, por edhe opinione njerëzore.

Zëri i Amerikës: Pas 8 vjetësh në pushtet, Partia Socialiste tani është në opozitë, Gjatë këtyre 5 muajve të partisë suaj në opozitë, sa të vështirë e keni patur të mësoheni me këtë status të ri, duke patur parasysh këtu edhe faktin se edhe brenda partisë suaj ka patur kritika se po luani rolin e një opozite të dobët?

Pandeli Majko: Po e filloj nga fundi. Pavarësisht se i kemi humbur zgjedhjet, kërkesat brenda Partisë Socialiste janë mjaft të forta për të bërë një parti të forte. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse ne e kemi kuptuar që qeverisja aktuale ka ardhur në pushtet jo vetëm si rezultat i zgjedhjes së saj, por sepse në këto zgjedhje elektorale humbi Partia Socialiste. Sigurisht, ne jemi duke e vlerësuar bërjen e opozitës, pasi 8 vjet, siç e thatë edhe ju, janë mbase një vit më tepër se sa 7 vjetëshi i parë i të qënit në opozitë. Ne nuk e kemi të vështirë, me zotin Berisha nuk është e vështirë të bësh opozitë; sigurisht, që jemi duke u përpjekur që jo thjesht të jemi kundër qeverisë, por të orjentojmë një alternative, e cila ka logjikën e opozitës, logjikën e stabilitetit të vendit dhe krijimin tek njerëzit të një vizioni të së ardhmes, e cila do të orjentohet më pas në kutinë e votimit. Zoti Berisha është aktualisht kryeministër i qeverisë. Ne e njohim mjaft mire atë dhe lëvizjet e tij; për fat të keq ai ka atë emër që ka në qarqet ndërkombëtare. E them këtë jo vetëm për të bërë opozitarin. Gjithësesi, edhe sikur ish-komunisti më i suksesshëm, zoti Jelcin, të kthehej në drejtimin e Rusisë, nuk besoj se do të sillte ndonjë gjë të re në jetën politike. Megjithatë, ne jemi të orjentuar në konceptin se politika duhet të orjentohet sipas logjikes së bashkëpunimit, jo vetëm për logjikën e opozitës, por edhe për logjikën e atyre që janë në pushtet.

Zëri i Amerikës: Të qëndrojmë pak tek opozita. Gjatë këtyre 5 muajve që partia juaj ka qenë në opozitë kanë qenë jo të pakta përplasjet e forta me qeverinë, madje disa here ju keni braktisur edhe sallën e Parlamentit… Sa reale janë mosmarrëveshjet tuaja me shumicën e djathtë dhe për çfarë çështjesh më konkretisht?

Pandeli Majko: Përgjithësisht ato kanë patur të bëjnë me çështje të mbrojtjes së institucioneve dhe largimi ynë nga Parlamenti nuk ka patur të bëjë me probleme emrash, apo diskutime personale, ta quajmë kështu. Largimi ynë ka patur të bëjë me momente të shkeljes së Kushtetutës, pasi ne më pas i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe shumë shpjet do të kemi një vendim përkatës nga ana e Gjykatës. Megjithatë, do të cilësoja faktin se cilësitë e bërjes së opozitës të Partisë Socialiste në këtë periudhë, nuk janë thjesht të lidhura me daljet nga Parlamenti, por me ndërtimin e një opozite opsioniste, e cila jo thjesht bërtet, apo largohet nga Parlamenti, por ofron edhe alternativën e vet, jo vetëm nga ne, por edhe nga ndërkombëtarët, që shikojnëme sy të ftohtë . Është vënë re në disa raste të diskutimit në Parlament, se profesionalizimi i opozitës mbetet gjithmonë më lart se atyre që janë në pushtet.

Zëri i Amerikës: Disa analistë janë shprehur se një nga shkaqet e humbjes së partisë suaj në zgjedhje ishte edhe dalja më vete e partisë së Ilir Metës, Lidhja Socialiste për Integrimin dhe moskoordinimi i bashkëveprimit me aleatët tuaj. Në këtë vit zgjedhor, kur janë në plan të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor, a keni ju një platformë të caktuar për të krijuar aleanca me partitë e së majtës?

Pandeli Majko: Mendoj që humbja e Partisë Socialiste nuk kishte të bënte thjesht vetëm me përçarjen e saj, me daljen e LSI-së mënjanë. Kishte edhe elementë të tjerë, fenomene të cilat tetë vjet në pushtet na krijuan disa fenomene negative në perceptimin e njerëzve. Kam parasysh këtu problemet e korrupsionit, problemin e efiçencës së administratës, gjë të cilat ne jemi duke i parë me sy kritik, jo vetëm thjesht për të thënë se këto ishin të metat tona, por edhe për t’i regjistruar ato në memorien politike të Partisë Socialiste, për të mos i përsëritur ato në të ardhmen. LSI-ja sigurisht, krijoi probleme, ajo që ne e shohim me keqardhje është që ajo vazhdon të mbetet një krizë e së majtës, duke mos u drejtuar drejt alternativës. Pra, ajo që kemi, le ta quajmë pakënaqësinë tonë ndaj LSI-së, është që ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me këtë parti, duke e konsideruar atë pjesë të së majtës, por pa asnjë lloj kushti. Në se dikush mendon se mund t’i bëjë presion Partisë Socialiste, duke orjentuar krizën brenda së majtës, mendoj se kriza nuk është alternativë. Të gjithë njerëzit janë të bindur, se për të ndryshuar situatën e sotme, vota në drejtim të Partisë Socialiste është më efiçente.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju ishit Kryeministër i Shqipërisë pikërisht gjatë krizës në Kosovës dhe do të mbaheni mend sidomos në Kosovë, si një burrë shteti që ja hapi derën e Shqipërisë refugjatëve kosovarë. Në këto momente, shumë shpejt pas vdekjes së presidentit Rugova, si e shikoni Kosovën pa presidentin e saj, sidomos në këto momente kritike për të ardhmen e saj?

Pandeli Majko: Zoti Rugova me vdekjen e tij e ndihmoi Kosovën, përsëri, edhe në momentin e fundit. Mendoj se edhe mënyra se si u organizua ceremoniali, ishte një ceremonial i cili esenciliasht mbante erën e shtetit që po fillonte të eci normalisht. Zoti Rugova u përcoll në banesën e tij të fundit si president i shtetit të Kosovës. Kjo u bë e qartë edhe nga mënyra se si u trajtua Kosova nga ndërkombëtarët në përcjelljen e fundit të presidentit të saj. Tani mendoj se Kosova ndodhet në një moment delikat, për arsyen e thjeshtë se do të fillojnë negociatat; dhe momenti perceptiv është mjaft i rëndësishëm. Unë mbetem kurdoherë optimist përsa i përket së ardhmes së Kosovës. Mbetem optimist, sepse ka një obligim të jashtëzakonshëm në radhë të pare të popullit të Kosovës, dhe pastaj të politikanëve, për të orjentuar një situatë sa më të qetë atje. Ajo që më shqetëson, si të gjithë, është se sa mirë do të paraqitet delegacioni i Kosovës. Është shumë e rëndësishem që ata të paraqiten atje jo thjesht si negociatorë, por si përfaqësues të shtetit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG