Lidhje

El Baradei: Mosmarrëveshjet me Iranin janë në fazë kritike


Kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike thotë se mosmarrëveshjet lidhur me programin bërthamor të Iranit kanë arritur në një fazë kritike, por ai shtoi se gjendja nuk është shndërruar në krizë.

Mohamed El Baradei i bëri këto komente sot, ndërkohë që Agjencia filloi një takim dy ditësh në Vienë, për të dëgjuar argumentat e evropianëve lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Zoti ElBaradei tha se Irani ende ka mundësi të marrë masa për rivendosjen e besimit, dhe nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm.

Bordi i agjencisë me 35 anëtarë po diskuton një projekt-rezolutë evropiane e cila i bën thirrje agjencisë t’ia raportojë çështjen e Iranit Këshillit të Sigurimit për sanksione të mundshme.

Megjithatë, projekt-rezoluta thekson se çdo veprim i Këshillit të Sigurimit ndaj Iranit do të shtyhej deri në takimin e ardhshëm të Agjencisë në fillim të marsit – një lëshim i bërë pas trysnisë së Rusisë dhe Kinës.

Zyrtarët iranianë thanë sot se Teherani do të kufizojë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për energjinë atomike nëse çështja i paraqitet Këshillit të Sigurimit. Irani i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat se synon ta shfrytëzojë programin e tij bërthamor për prodhimin e armëve bërthamore.

XS
SM
MD
LG