Lidhje

Një vaksinë e re mbron minjtë nga virusi vdekjeprurës i gripit të shpendëve


Studiuesit në Shtetet e Bashkuara thanë se kanë prodhuar gjenetikisht një vaksinë që mbron minjtë nga virusi vdekjeprurës H5N1 i gripit të shpendëve.

Në një raport të botuar sot në revistën mjekësore britanike The Lancet, studiuesit thanë se vaksina eksperimentale përdor një virus të zakonshëm të të ftohtit të ndërthurur me ADN-në e virusit të gripit të shpendëve për të stimuluar sistemin mbrojtës të organizmit.

Ata thanë se një vaksinë e tillë mund të ofrojë mbrojtje ndaj shndërrimit të virusit të gripit të shpendëve në formë vdekjeprurëse tek njerëzit.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se analizat kanë konfirmuar praninë e virusit H5N1 tek një adoleshente në veri të Irakut që vdiq muajin e kaluar. Agjencia e OKBsë po dërgon një ekip në Irak për të hetuar njoftimet për raste të tjera.

Në Indonezi, zyrtarët thanë se analizat treguan se një djalë 15 vjeçar vdiq nga virusi H5N1, por organizata botërore e shëndetësisë nuk ka konfirmuar ende rezultatet.

Gripi i shpendëve ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 80 personave që nga viti 2003.

XS
SM
MD
LG