Lidhje

Presidenti Bush shpreson që fjalimi mbi gjendjen e vendit ta përmirësojë pozitën e tij para publikut


Pozitat e Presidentit Bush para opinionit publik mund të jenë përmirësuar disi nga fjalimi i tij i së martës mbi Gjendjen e Vendit ku përmblodhi përparësitë e tij në politikën e jashtme dhe atë të brendshme për këtë vit.

Një sondazh i zhvilluar nga një televizion amerikan tregon se 48 përqind e të anketuarve kishin përshtypje pozitive për fjalimin e presidentit Bush, ndërsa 27 përqind thanë se u kishte pëlqyer deri diku, dhe 23 përqind kishin përshtypje negative.

Republikanët shpresojnë që fjalimi ta forcojë përkrahjen për presidentit Bush pas një viti të vështirë në 2005-ën. Ata janë të shqetësuar se përkrahja e ulët për presidentin mund të dëmtojë perspektivën e tyre për të ruajtur kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet legjislative të muajit nëntor.

Në të njëjtën kohë, fjalimi mbi gjendjen e vendit është parë nga shumë ligjvënës si breshëria e hapjes së fushatës zgjedhore të vitit 2006 për Kongresin. Situata në Irak duket se do të jetë çështje shumë e rëndësishme në zgjedhje dhe presidenti u përpoq të siguronte publikun amerikan në fjalimin e tij për përkushtimin e administratës për të dalë me sukses në Irak.

“Kam besim në planin tonë për fitore. Kam besim në vullnetin e popullit irakian. Kam besim në aftësitë dhe shpirtin e ushtrisë sonë. Bashkëqytetarë, ne kemi hyrë në këtë luftë për të fituar dhe do të fitojmë.”

Shqetësimet publike rreth çështjes së Irakut ishin një nga arsyet kryesore për rënien e mbështetjes për presidentin Bush vitin e kaluar.

Shumica e demokratëve të opozitës e mbështesin synimin e një Iraku të qendrueshëm, por shumë prej tyre duan të dëgjojnë më shumë hollësi nga presidenti se kur mund të fillojnë trupat amerikane të kthehen.

Senatori Joseph Biden, demokrat nga shteti Delaware komentoi në rrjetin televiziv CBS.

“Ne nuk po flasim për izolim. Ai vazhdon të thotë se nuk duhet të izolohemi dhe të tërhiqemi. Kush po flet për tërheqje nga bota? Pyetja është, zoti president, cili është plani për të siguruar interesat tona në Irak dhe për të kthyer trupat në vend? Na trego planin.”

Fjalimi mbi Gjendjen e Vendit është rast për presidentin të paraqesë synimet politike për vitin dhe programin politik. Mark Blumental thotë se fjalimi nuk u jep shumë shtytje presidentëve në opinion publik.

“Presidentëve zakonisht nuk u ndryshon përkrahja nga fjalimi i tyre mbi Gjendjen e Vendit. I vetmi përjashtim ndodhi me Bill Clintonin në vitin 1998. Shumica e njerëzve që e shohin fjalimin kanë zakonisht preferenca partiake.”

Gjatë fjalimit, presidenti foli edhe për luftën kundër terrorizmit, për kërcënimin bërthamor nga Irani dhe disa çështje vendore si kujdesi shëndetësor, energjia dhe ekonomia.

Ekspertët politikë thonë se të gjitha këto çështje mund të luajnë rol në zgjedhjet e ardhshme legjislative.

Por analisti Stuart Rothenberg parashikon se çështja e Irakut do të vazhdojë të mbetet në krye gjatë vitit 2006.

“Lufta në Irak e ka dëmtuar presidentin dhe besueshmërinë e tij, por këtë e kanë bërë edhe gjëra të tjera si uragani Katrina dhe çështjet etike në lidhje me përgjimet në vend. Besimi i publikut ndaj Shtëpisë së Bardhë është mjaft i ulët.”

Sipas një sondazhi tjetër të kohëve të fundit, tërheqja e trupave amerikane nga Iraku ishte një nga çështjet më shqtësuese për votuesit, e pasuar nga shqetësimet rreth rritjes së kostos për kujdesin shëndetësor.

XS
SM
MD
LG