Lidhje

Presidenti Bush, Mbreti i Jordanisë dhe ylli i rokut Bono flasin në Mëngjesin e Lutjeve


Presidenti Bush, mbreti Abdullah i Jordanisë, ylli i muzikës rok, Bono, dhe aktivistë shoqërorë, morën sot pjesë në ceremoninë e përvitshme të Mëngjesit të Lutjeve, që zhvillohet në Washington, ku folën për besimin, paqen dhe punën e mirë. Kjo ceremoni e përvitshme synon mbledhjen e njerëzve të të gjitha feve dhe ritheksimin e besimit të përbashkët tek Zoti.

Mbedhja së bashku e përfaqësuesve të të gjitha feve dhe atyre të politikës në Mëngjesin e Lutjeve ishte një takim vërtetë i rrallë në- Washington: një ndërprerje nga grindjet politike brenda vendit dhe nga konflitet ndërkombëtare. Mbreti Abdullah theksoi se në kapitullin që hap Kuranin ndjehet jehona e mësimeve të Torah-s së hebrejve dhe e psallmeve të krishtërimit. Pastaj ai u kërkoi të gjithë të pranishmëve të bashkohen në një lutje për Lindjen e Mesme:

“Që atje të mos rritet më një brez që njeh konfliktin dhe padrejtësinë, as vuajtjet që shkakton varfëria, apo shtypja. Që të mos ketë më familje që të humbin të dashurit e tyre në luftë dhe në konflikte dhe që të gjithë, myslimanë, hebrej dhe të krishterë të mund të krijojmë një të ardhme të re për Tokën e Shenjtë; një të ardhme në paqe”.

Presidenti Bush, që është një i krishter i devotshëm, tha se në Shtetet e Bashkuara njerëzit janë të lirë të praktikojnë çdo lloj feje, ose asnjë fe. Ai tha se njerëzit besimtarë dhe njerëzit e ndershëm, e bëjnë Amerikën të fortë dhe se vendi dhe bota kanë përfituar nga përpjekjet e tyre.

“Pas uraganit Katrina, vullnetarë nga kishat, xhamitë dhe sinagogat, ua hapën zemrën dhe shtëpitë e tyre refugjatëve. Ne ishim dëshmitarë të shprehjes së dhemsurisë së madhe, pasi tërmeti në Pakistan dhe cunami në Azinë Juglindore shkatërruan komunitete të tëra. Në miliona raste të tjera të shprehjes së mirësisë, ne kemi patur rastin të shohim zemrën e mirë të Amerikës. Forca e vërtetë e vendit tonë nuk është tek fuqia ushtarake, apo paraja. Ajo është në zemrat dhe në shpirtin e popullit amerikan”.

Personi i vetëm në ceremoni që nuk i përkiste ndonjë partie politike, apo ndonjë qeverie, ishte Bono, ylli i muzikës rok, luftëtar i zjarrtë për eliminimin e borxheve të vendeve të varfëra dhe SIDË-s në Afrikë e gjetkë. Bono tha se feja e organizuar mund të jetë një forcë pozitive, por edhe mundet të bëhet pengesë. Ai tha se njerëzit fetarë që pretendojnë se veprojnë në emër të zotit kanë shkaktuar konflikte në shumë vende të botës, përfshi edhe vendin e tij, Irlandën.

Këngëtari Bono vlerësoi Presidentin Bush për dyfishimin e ndihmës për Afrikën, por tha se mbetet ende shumë për t’u bërë.

“Ndihmat nuk kanë të bëjnë me mëshirën, por me drejtësinë. Ne na pëlqen të dhurojmë dhe të japim mjaft - madje edhe njerëzit që nuk e përballojnë dot. Por drejtësia është një standart më i lartë. Afrika tallet me idenë tonë të drejtësisë. Ajo tallet me mëshirën tonë, i ve në dyshim shqetësimet tona dhe e ve në pikpyetje përkushtimin tonë. 6,5 mijë afrikanë vazhdojnë të vdesin çdo ditë për shkak të sëmundjeve të parandalueshme dhe të kurueshme, për mungesë ilaçesh, të cilat ne mund t’i blejmë në çdo farmaci.

Bono u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara ta dyfishojnë nivelin e përgjithshëm të të gjitha ndihmave ndërkombëtare.

Ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve filloi të festohet në vitet ’50 dhe ajo organizohet prej ligjvënësve amerikanë nga të dyja partitë politike.

XS
SM
MD
LG