Lidhje

Mediu: Komunikimi në politikë element i domosdoshëm për t’i shërbyer të ardhmes së vendit tonë


Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, para fillimit të ceremonisë ju patët një takim me Sekretaren e Shtetit Condoliza Rajs. Për çfarë u bisedua?

Fatmir Mediu: Përgjithësisht kur vjen në Uashington, nuk besoj që duhet të mbetesh vetëm me një aktivitet të caktuar. Politika shqiptare, qeveria, duhet ta shfrytëzojë çdo moment për të rritur kontaktet, për të forcuar marrëdhëniet dhe ka qënë një agjendë e ngjeshur. Si ministër mbrojtjeje kam pasur takime në Pentagon për marrëdhëniet tona, sidomos për takimin e ardhshëm bilateral në muajin mars. Njëkohësisht kënaqësi e veçantë ishte pjesëmarrja në Kongres, në fjalimin e vitit të Presidentit Bush drejtuar qytetarëve amerikanë për gjendjen e vendit, por që mendoj se edhe Shqipëria është pjesë e saj, sidomos për pjesën e politikës së jashtme. Sot me Sekretaren e Shtetit përgjithësisht morrëm falenderimet për mbështetjen që kemi dhënë dhe për inkurajimin që i bëhet Shqipërisë për të ecur në rrugën e reformave, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe njëkohësisht mbështetjen për integrimin në strukturat e Natos, që është një nga prioritetet strategjike të gjithë shoqërisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, mëngjesi i lutjeve, një ceremoni e përvitshme grumbullon së bashku, politikanë të ndryshëm, shpesh rivalë të ashpër, në një moment reflektimi. Në kontekstin e politikës shqiptare, çfarë domethënie kanë këto ceremoni për ju?

Fatmir Mediu: Unë mendoj që reflektimi është disi i hershëm, jo vetëm me ceremoninë e sotme, por për faktin sepse tashmë kemi një marrëdhënie të lidhur me Kongresin amerikan në mënyrën e organizimit të këtyre mëngjeseve, kemi patur dy të tilla ballkanike në Shqipëri që kanë prurë edhe përfaqësues të Ballkanit. Reflektimi është i sensit që njerëzit përveç diferencave politike, përpiqen të gjejnë atë që është elementi njerëzor në veprimtarinë e tyre politike, pra t’i shërbejnë më mirë interesave të qytetarëve dhe të jenë më mirë të lidhur me ta, duke patur disa parime që besoj janë të qënësishme për çdo njeri: vullnetin e mirë, mirësjelljen dhe mirëkuptimin. Besoj se komunikimi në politikë është elementi më i domosdoshëm, pra një lloj dakortësie për të qënë të ndryshëm në qëndrimet tona politike, por një lloj dakortësie për të gjetur elementët e përbashkët, për t’i shërbyer shoqërisë, për t’i shërbyer të ardhmes së vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, zyrtarët e ODIHR-it ndodhen këto ditë në Shqipëri për të rishikuar gjendjen për reformën e sistemit zgjedhor. Ndërkohë problemet në Shqipëri kanë filluar që në hapin e parë, me komisionin parlamentar, për të cilin ka patur kundërshti nga partitë e vogla, me disa përjashtime të ralla, siç është partia juaj. A do të çojnë këto kundërshtime në pengimin e punës së komisionit? A do të jetë ky komision i efektshëm në punën e tij?

Fatmir Mediu: Së pari dua të sqaroj pozicionin e Partisë Republikane. Partia Republikane e bëri të qartë qëndrimin e saj me votimin në parlament. Por unë mendoj se Partia Republikane duke qënë në koalicionin qeverisës, duhet t’i diskutojë problemet brenda këtij koalicioni, pavarësisht se nuk u shtruan si të tilla nga Partia Demokratike, që është partia kryesore për të arritur në një përgjigje, apo zgjidhje të përbashkët, pra menduam që të angazhoheshim, që të kemi një diskutim të tillë dhe i kam kërkuar Kryeministrit dhe kemi arritur që të gjithë së bashku të kemi një diskutim të udhëheqjes politike në një nivel teknik, për të arritur në një zgjidhje të rregullimit të problemeve që u ngritën në parlament për këtë komision. Ky është një komision i cili duhet t’u japë hapësirë në vendim-marrje të gjithë subjekteve politike, por natyrisht që duhet të garantojë në një mënyrë funksionim normal të tij. Unë e kuptoj pozicionin e zotit Berisha dhe besoj se është një pozicion i mirëpritur fakti që ai do t’i lerë të drejtën e vetos Partisë Socialiste, pasi kur Partia Socialiste ishte në pushtet, Partia Demokratike e ka pasur këtë të drejtë vetoje, në mënyrë që mazhoranca të mos veprojë në mënyrë të njëanshme, por mendoj që kjo natyrisht duhet patjetër të shmangë defektet e përjashtimit të subjekteve të tjera politike. E rëndësishme për mua është që të arrijmë në një kuptim të përbashkët të vlerësimit të votës së qytetarëve për të mundësuar që të mos kemi shmangie nga vullneti politik, por njëkohësisht për të gjetur një marrëdhënie, e cila do t’i jepte parlamentit shqiptar një autoritetet për të zhvilluar politikat e tij si institucion legjislativ dhe në bazë të dispozitave ligjore të ushtronte autoritetin maksismal në kontrollin e ekzekutivit.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, partia republikane ka qënë në krye të përpjekjeve për ligjin e pronës gjatë kohës që ishte në opozitë. Sot që jeni në qeveri, a mendoni se do të arrini të kaloni një ligj të pranueshëm dhe a do të ndikojë kjo në marrëdhëniet me PD?

Fatmir Mediu: Partia Republikane nuk është Parti Demokratike dhe Partia Demokratike nuk është Parti Republikane. Besoj që kemi arritur në koalicion të përbashkët duke pranuar edhe diferencat me njeri tjetrin. Nga ana tjetër, Partia Republikane çështjen e pronës private nuk e ka parë si një çështje thjesht politike, por si një çështje të së drejtës dhe këtu besoj që edhe ndërgjegja e politikës shqiptare, sidomos e qeverisë duhet të jetë shumë herë më e lartë. Ne nuk mund të lozim me çështjen e pronës sikur ajo na përket ne. Prona private është një element i tregut, por është edhe një element i së drejtës dhe duhet të gjejmë zgjidhje të përshtatshme, konform konventave evropiane.

Zëri i Amerikës: Por, në këtë kontekst a shikoni ju zgjidhje reale?

Fatmir Mediu: Partia Demokratike ka propozuar ndryshime. Disa nga ato ndryshime janë pozitive. Disa, sipas gjykimit të Partisë Republikane, nuk janë të drejta dhe ne kemi paraqitur një paketë me 35 amendamente për ndryshimet që i duhen ligjit. Ne do të votojmë në favor të çdo neni i cili vjen në përputhje me të drejtën e pronës private dhe kundër çdo neni i cili bie ndesh me këtë të drejtë.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se ju mund të bëheni shkaktarë për dështimin e këtij ligji në parlament?

Fatmir Mediu: Ne do të bëhemi shkaktarë për rregullimin e këti ligji në parlament dhe jo shkaktarë për dështimin e ligjit. Ligji tenton rregullime dhe çdo rregullim është i mirëpritur, por kjo nuk do të thotë që kufizimet, të cilat bien ndesh me interesin e pronës, ne do t’i miratojmë. Pozicioni ynë do të jetë i qartë, votë pro, për çdo gjë që ka të bëjë me të drejtën e pronës private, që e rregullon këtë çështje dhe votë kundër me atë që e cënon të drejtën e pronës private.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, me raste të ralla, temperatura politike në Shqipëri, ka qënë përherë e lartë dhe kështu po vazhdon edhe tani që u ndëruan pushtetet. Ajo që të bie në sy është që edhe probleme në dukje teknike, si ai i mbikalimit të Zogut të Zi, shndërrohen në acarime të skajshme. Në këtë kontekst çfarë roli mund të luajë koalicioni qeveritar për ta zbutur klimën politike?

Fatmir Mediu: Unë mendoj që gjithmonë ka vend për të bërë. Sa herë del një problem dhe ka një konflikt, natyrisht ka edhe mundësi për të gjetur zgjidhje. Natyrisht zgjidhje që bazohen në respektimin rigoroz të ligjit. As Kryeminsitri, as ministrat, as Kryetari i Bashkisë, nuk mund të kenë autoritetet për të qëndruar mbi ligjin dhe kjo është e domosdoshme për t’u kuptuar nga gjithsecili nga ne. Besoj që çështjet që janë ngritur, janë ngritur pikërisht në kënvështrimin e respektimit rigoroz të ligjit. Nga ana tjetër, çdo politikë duhet zhvilluar natyrisht në prirjen e zhvillimit të vendit dhe intersave të qytetarëve. Besoj se këtu ka edhe hapësira të marrëdhënieve dhe kuptimeve të përbashkëta. Por mendoj që natyrisht kur flitet pë rmirëkuptim duhet të ketë dy palë, njera palë që është qeveria dhe pala tjetër që është opozita. Në qoftë se opozita, çdo gjë që ka të bëjë me respektimin e ligjit, e konsideron si një çështje të përplasjes politike, mendoj nuk e ka kuptuar rrugën e përbashkët që duhet të kemi.

XS
SM
MD
LG