Lidhje

Statistikat: Shumica dërrmuese e të vrarëve  dhe të plagosurve në Irak, civilë irakianë


Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se gjatë 14 javëve të fundit, në Irak janë vrarë dhe plagosur më tepër se 5 mijë e 800 vetë, shumica e tyre civilë irakianë.

Sipas statistikave të fundit ushtarake amerikane, mes viktimave të këtyre 14 javëve, më tepër se 3 mijë e 100 vetë ishin civilë irakianë. Gjatë së njëjtës periudhë, më tepër se 1 mijë e 500 policë dhe ushtarë irakianë janë vrarë, ose plagosur dhe 1 mijë e 100 të tjerë kanë qenë nga personeli i forcave amerikane dhe atyre shumëkombëshe. Shifrat tregojnë se janë civilët irakianë ata që po e vuajnë më tepër dhunën e përditshme në Irak.

Në incidentin më të fundit me dhunë, ushtria amerikane njoftoi se një ushtar amerikan u vra në një sulm me bombë anës rrugës, në veri të Bagdadit. Po dje, të paktën 16 vetë u vranë në Bagdad, në dy sulme të njëkohëshme me bombë, po në kryeqytetin irakian.

Vështirësitë e raportimit në kohë lufte

Nga Kris Simkins

Që nga koha e ndërhyrjes së forcave amerikane në Irak, tre vjet më parë, dhjetra gazetarë nga vende të ndryshme të botës që kanë shkuar atje për të raportuar, janë vrarë, plagosur, apo rrëmbyer. Mbulimi i luftës ka qenë një nga pjesët më të rrezikshme të punës së gazetarëve.

Bota është më e rrezikshme se kurrë për gazetarët, veçanërisht për ata që shërbejnë në Irak dhe në Lindjen e Mesme. Sipas organizatës “Gazetarët pa Kufij”, lufta në Irak është më vdekjeprurësja që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Kjo organizatë thotë se 79 gazetarë dhe punonjës të tjerë të shtypit janë vrarë në Irak që nga viti 2003. Gazetarët që shërbejnë në Irak janë nga dhjetra vende, si Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Irani, Iraku, Britania dhe Australia. Gjatë Luftës së Vietnamit u vranë 63 gazetarë. Korrespondenti i luftës Jim Wooten thotë se ndryshe nga konfliktet e mëparshme, lufta në Irak është shumë më e rrezikshme për gazetarët.

“Në Irak, gazetari nuk di asgjë për për frontin, apo për lëvizjen e trupave në një drejtim të caktuar, kryengritësit dalin nga nuk e pret, ata vrasin, plaçkisin dhe pastaj zhduken”.- thote ai.

Sulmet terroriste dhe ato të kryengritësve kanë qënë shkaku kryesor i vrasjes dhe plagosjes së gazetarëve në Irak. Ky rrezik u bë ditët e fundit edhe më i kuptueshëm për amerikanët, pasi drejtuesi i emisionit të lajmeve të televizionit ABC, Bob Woodruff, dhe kameramani i tij u plagosën rëndë, kur një automjet ushtarak me të cilin ata po udhëtonin, ndeshi në një bombë. Në vitin 2003, gazetari i revistës “Time”, Michael Weiskopf humbi dorën në një sulm me granadë, ndërsa po udhëtonte me një makinë ushtarake.

Organizata “Gazetarët pa kufi” thotë se që nga koha e fillimit të luftës në Irak, veç sulmeve, 31 gazetarë janë rrëmbyer. Pesë nga viktimat e rrëmbyera janë vrarë. Fati i gazetares amerikane të Christian Science Monitor, Jill Carroll, ende nuk dihet. Atë e morën peng dhe shoferin e makinës me të cilën ajo po udhëtonte e vranë, ndërsa po udhëtonin në një rrugë të Bagdadit. Rodney Pinder e Institutit Ndërkombëtar për Sigurinë e Shtypit, thotë se gazetarët që shoqërojnë njësitë ushtarake duhet të mbrohen në mënyrë të veçantë, që kur kërcënimi për rrëmbimet dhe sulmet e ka bërë tepër të rrezikshëm udhëtimin vetëm.

“Kamerat televizive kanë shkuar tashmë në vende ku nuk mund të hynin kurrë më parë dhe mendoj se sytë e botës janë hapur para realitetit të luftës më tepër se kurrë më parë”- thotë Pinder.

Analistët e shtypit thonë se ka mundësi që në Irak të vriten edhe gazetarë të tjerë që njoftojnë nga terreni.//lk

XS
SM
MD
LG