Lidhje

Dugolli: Një Kosovë e varfër do të ishte e vështirë të mbijetonte si shtet

  • Intervistoi: Ikonomi

Për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të Mëngjesit të Lutjeve, në Washington kishte ardhur edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bujar Dugolli, i cili dha një intervistë për programin televiziv “Ditari”.

Zëri i Amerikës: Meqenëse jemi në prag të fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtar, çfarë argumente keni ju për të treguar se zgjidhja e statusit do të ndihmonte në tejkalimin e problemeve ekonomike të Kosovës, të cilat janë mjaft serioze. Pra, në kushtet kur institucionet janë të pa konsoliduara, si mund të vijnë investimet e huaja qoftë edhe nëse zgjidhet statusi?

Bujar Dugolli: Padyshim që zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës është një çështje jetike jo vetëm në aspektin e stabilitetit politik në Kosovë dhe në rajon, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. Siç dihet, Kosova ka bërë hapa të mira pas luftës, falë ndihmës dhe përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare por megjithatë, çështja e mospërcaktimit të statusit është bërë pengesë edhe për investimet kapitale, investimet e rëndësishme që ne presim të vijnë në Kosovë. Kosova ka pasuri nëntokësore dhe sektori i energjetikës është sektori më tërheqës, por duhen zhvillime pozitive politike që të çojnë në përcaktimin e statusit, në mënyrë që ne të mund të sjellim në Kosovë kompani prestigjioze që të investojnë. Edhe pse janë bërë disa hapa, mendoj se viti 2006, përcaktimi i statusit dhe hapat e tjera që do të ndërmerren do të na krijojnë kushtet që ne të kemi edhe investime. Ne jemi duke inkurajuar edhe në Shtetet e Bashkuara shqiptarë, apo në bashkëpunim me kompani prestigjioze amerikane që të vijnë të investojnë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Serbia ka kërkuar që Kosova të marrë përsipër një pjesë të borxhit të jashtëm të ish Jugosllavisë, ndërsa pala kosovare kërkon reparacione të luftës. A do të jenë këto ndër problemet ekonomike që pritet të shtrohen nga pala kosovare në bisedimet për statusin?

Bujar Dugolli: Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989, Serbia ka bërë shkatërrimin, mund të them, jo vetëm të ekonomisë së Kosovës, por edhe të pasurive private të qytetarëve. Dhe humbjet janë të jashtëzakonshme, jo vetëm në sektorët e rëndësishëm shoqërorë dhe shtetërorë, por edhe në sektorin privat. Në grupet që janë themeluar edhe për çështjet ekonomike, ekspertët tanë janë duke hartuar dokumente të rëndësishme, që në rast bisedimesh të mundëshme për këto çështje, ne do të kemi atë që do të kërkojmë nga Serbia, pra që ajo të paguajë dëmet e luftës. Dëmet janë të mëdha, por ne duhet të shikojmë mundësinë se si t’i argumentojmë. Padyshim që Serbia duhet të bëjë pagesën e dëmeve të luftës qoftë në ekonomi, por edhe në njerëz. Sido që të jetë, ne presim zhvillimet e vitit në të cilin kemi hyrë.

Zëri i Amerikës: A bën Kosova tregti me Serbinë dhe si është ky vëllim në krahasim me tregtinë që bën Kosova me Shqipërinë?

Bujar Dugolli: Ne jemi pjesë e marrëveshjes së paktit të asocim-stabilizimit për Evropën Juglindore dhe kemi filluar nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Deri tani kemi marrëveshje të tilla me dy vende të Ballkanit, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, të cilat janë duke funksionuar në praktikë. Kemi edhe negociatat e përfunduara për marrëveshje të tregtisë së lirë me Bosnjen. Kemi shkëmbime idesh që të fillojmë diskutimin për rregullimin e mmarrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me Malin e Zi, por ende mbeten si ide dhe nuk janë zbatuar në praktikë. Ndërsa me Serbinë, këto marrëdhënie ekonomiko-tregtare janë krejtësisht të paorganizuara. Do të ishte me interes që ndoshta grupet teknike në të ardhmen t’i diskutojnë këto çështje, sepse qarkullimi i mallrave ilegalisht nga Serbia përmes pjesës së veriut, është një problem jashtëzakonisht i madh. Doganat tona nuk arrijnë as t’i kontrollojnë por as t’i taksojnë këto mallra sipas vlerave të caktuara. Ky është një problem jo vetëm i doganave, por mund të them edhe një problem politik. Pra mosgatishmëria e Serbisë dhe sidomos e pjesës veriore që të bashkëpunojë me institucionet, bën që qarkullimi i mallrave tregtare të bëhet edhe në të zezë. Pjesa më e madhe e tregtisë mund të them se bëhet me Maqedoninë. Ka tregti edhe me Shqipërinë por ekzistojnë pengesa në strukturat rrugore dhe dihet që biznesmenët përpiqen të gjejnë rrugë sa më të lehta për të bërë tregti.

Zëri i Amerikës: Njoftimet thonë se një pjesë e mirë e serbëve të Kosovës jetojnë në enklava dhe lëvizin me vështirësi. Me kë bëjnë ata tregti për të mbështetur jetesën e familjeve të tyre?

Bujar Dugolli: Faktikisht edhe enklavat furnizohen nga tregtia e brendshme që zhvillohet në Kosovë. Nuk është e vërtetë që ata furnizohen vetëm prej Serbisë. Ka mallra që i marrin përmes Serbisë, por ka edhe mallra me të cilat ata furnizohen pa problem nga tregu i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Shumë njerëz në Kosovë presin të dëgjojnë prej jush se si mund të zgjidhen probleme të tilla të mëdha, si varfëria – shpesh ekstreme – dhe papunësia e lartë. Dhe ka shumë njerëz që besojnë ndoshta gabimisht se me përcaktimin e statusit këto probleme do të zgjidhen vetiu. Cila është përgjigja juaj?

Bujar Dugolli: Mos definimi i statusit ka krijuar probleme sepse klasa politike dhe institucionet tërë energjinë e vet e kanë orientuar rreth çështjes së përcaktimit të statusit. Shumë herë edhe çështje të tjera mbesin nën hije të zhvillimeve politike. Po t’i radhitim standardet, siç i ka parashkuar bashkësia ndërkombëtare, ekonomia do të ishte e pesta. Megjithë ndihmën që kemi nga mekanizmat ndërkombëtare në Kosovë, do të duhet të bëhet shumë më tepër në këtë drejtim. Klasa politike e Kosovës e ka përqendruar të gjithë vemendjen në zhvillimet e tjera, por mendoj se menjëherë duke filluar nga viti 2007 duhet që tërë energjitë institucionale dhe politike, por edhe donatorët ndërkombëtarë, të orientohen në zhvillimin ekonomik të Kosovës sepse një Kosovë e varfër do të ishte e vështirë të mbijetonte si shtet.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ka probleme të korrupsionit nga ana e zyrtarëve, është përmendur për shembull privatizimi i Ferronikelit. Madje edhe emri juaj është përmendur. Cili është reagimi juaj?

Bujar Dugolli: Ne e kuptojmë se kudo në shoqëritë e paskonflikteve apo në vendet që kanë kaluar periudha tranzicioni ku fillon privatizimi bëhen vlerësime të ndryshme. Sido që të jetë, mendoj se suksesi ynë në vitin 2004 në zhvillimin e procesit të privatizizmit ka qenë një element shumë i rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Ne kemi në Kosovë edhe opozitë dhe opozita mundohet çdokund, diku me vend dhe diku pa vend, të sulmojë klasën politike që është në pushtet, por këto janë pjesë e demokracisë. Sidoqoftë, ne jemi duke bërë punën tonë me nder bashkë me faktorin ndërkombëtar dhe mendoj se edhe opozita duhet të ketë parasysh se zhvillimi i procesit të privatizimit në Kosovë krijon perspektivë, krijon vende të reja pune dhe zbutjen e varfërisë.

XS
SM
MD
LG