Lidhje

Wisner: nuk duhet të ketë shtyrje të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës


I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, tha sot në Prishtinë se nuk duhet të ketë shtyrje të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, bisedimet për të cilin sipas tij duhet të mbyllen brenda këtij viti. Ambasadori Wisner, i cili sot i dha fund vizitës së parë në rajon në cilësinë e ndërmjetësit amerikan për statusin e Kosovës, u zotua se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përkushtuara ndaj tërë procesit.

I dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, tha sot në Prishtinë se negociatat për zgjidhjen e kësaj çështjeje duhet të mbyllen shpejt dhe se çdo vonesë nuk do t’i shërbejë askujt. Ai i bëri këto komente pas takimit me ekipin e negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës dhe përfaqësues të pakicave jo-shqiptare dhe jo-serbe.

Ambasadori Wisner , i cili u kthye në Prishtinë pas një vizite në Beograd, tha se janë 3 çështje kryesore që ai do t’i përfshijë në raportimin e tij në Uashington lidhur me vizitën e parë në Prishtinë dhe Beograd në cilësinë e ndërmjetsuesit në bisedimet për statusin e Kosovës. Ai tha se është i bindur se tani është koha dhe është me rëndësi që negociatat të mbyllen sa më parë, mundësisht brenda vitit 2006.

“Shtyrja e mëtejshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk i shërben interesit të askujt,” tha ambasadori Wisner, duke nënvizuar rëndësinë që ka ndërtimi i një Kosove të barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. “Kosova duhet të jetë shoqëri shumëetnike në të cilët të gjitha komunitetet të gjejnë hapësirë për jetën e tyre, mbrojtje të individëve, të pronës dhe të institucioneve kulturore” tha ambasadori Wisner. “Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të siguruar suksesin e asaj që arrihet këtu,” tha ambasadori Wisner, duke u zotuar se Shtetet e Bashkuara do të jenë ngusht të angazhuara në hapat e ardhshëm të negocimit të statusit.

Ai tha se porosi të njëjta u ka përcjellë edhe autoriteteve në Beograd dhe atyre në Prishtinë. Përfaqësuesit e Prishtinës janë angazhuar se do të punojnë me angazhim të shtuar për të çuar përpara procesin politik, duke premtuar, se, siç është thënë, nuk do të zhgënjejnë partnerët e tyre amerikanë dhe evropianë.

Ambasadori Wisner vizitoi Prishtinën dhe Beogradin menjëherë pas takimit të Grupit të Kontaktit, i cili ka vendosur parimet themelore mbi të cilat do të mbështetet zgjidhja e statusit politik të Kosovës.

Në Prishtinë angazhimi amerikan shikohet si i domosdoshëm për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të statusit të Kosovës, si dhe për vendosjen e qëndrueshmërisë afatgjatë në të gjithë rajonin. //ad//

XS
SM
MD
LG