Lidhje

Bush: Iranit i përcillet mesazhi i qartë se bota nuk do ta lejojë të ketë armë bërthamore


Presidenti Bush thotë se vendimi i agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore për të paraqitur çështjen e Iranit në Këshillin e Sigurimit përcjell mesazhin e qartë se bota nuk do të lejojë që Irani të ketë armë bërthamore.

Presidenti Bush i bëri këtë koment disa orë pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike miratoi me shumicë dërrmuese votash për të paraqitur çështjen e Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së muajin e ardhshëm, nëse Teherani dështon të qetësojë shqetësimet perëndimore lidhur me ambicjet e tij bërthamore.

Pak pas votimit të agjencisë në Vjenë, presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të vizitave të inspektorëve të agjencisë ndërkombëtare për energjinë atomike në objektet bërthamore të Iranit.

Ai urdhëroi edhe pezullimin e bashkëpunimit vullnetar me agjencinë duke filluar nga sot dhe udhëzoi inxhinierët iranianë të përgatitën për prodhimin me kapacitet të plotë të uraniumit të pasuruar.

Irani thotë se kërkon uranium të pasuruar të cilësisë së ulët për prodhimin e elektricitetit. Por Evropa dhe Shtetet e Bashkuara thonë se Teherani kërkon uranium të pasuruar të cilësisë së lartë për të prodhuar një bombë atomike. (xh)

XS
SM
MD
LG