Lidhje

Analisti Obrad Kesiç për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës


Analisti Obrad Kesiç thotë se ndërmjet qendrimeve të skajshme të Prishtinës për pavarësi të plotë dhe Beogradit që Kosova të jetë nën sovranitetin e Serbisë, ka hapësira për kompromis. Ai thotë se gjetja e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës ka të bëjë me qendrueshmërinë afatgjatë jo vetëm të Ballkanit, por edhe më gjerë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur se pavarësia e Kosovës pa miratimin e Serbisë do të ketë pasoja afatgjata në qendrueshmërinë edhe të shteteve të tjera në rajon. A mund të shpjegoheni më në hollësi?

Obrad Kesiç: Është e qartë që bashkësia ndërkombëtare po kërkon një zgjidhje që do të jetë bazë për një qendrueshmëri afatgjatë. Nëse zgjidhja arrihet pa pëlqimin e Serbisë, si rregull, do të paraqiste paqendrueshmëri. Serbia është shtet, i rëndësishëm për Ballkanin, në mes të rrugëve të transportit dhe linjave të komunikimit, dhe siç e tregoi edhe dhjetëvjeçari, i fundit: kur ka konflikt dhe paqendrueshmëri dhe Serbia është pjesë kryesore e tij, i gjithë rajoni destabilizohet, veçanërisht në fushën e investimeve. Kështu është tepër e rëndësishme të mbahet parasysh që çdo zgjidhje duhet të ketë pëlqimin e të dyjave, Prishtinës dhe Beogradit. Një zgjidhje e qendrueshme nuk mund të imponohet. Jam optimist se ka vend për kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pasi disa interesa të tyret përputhen. Por më parë duhet bërë përparim në disa çështje më pak të rëndësishme, të krijohet besim dhe më pas të kalohet në çështje më të vështira, si statusi.

Zëri i Amerikës: Të diskutojmë pak në planin ideal, në skajet e një segmenti kemi dy zgjidhje të kundërta: Pavarësi për Kosovën dhe Kosova nën sovranitetin e Serbisë. Cilën do të rekomandonit?

Obrad Kesiç: Personalisht e ndjej se ka mjaft hapësirë për ndërmjet këtyre pozicioneve të skajshme. Duhet gjetur diçka e mesme që kënaq apo nuk kënaq njësoj të dyja palët. Për Serbinë, siç dihet, kryesorja është çështja e sovranitetit. Sovranitet i vërtetë apo në dukje, kjo është e diskutueshme. Nëse gjendet një zgjidhje bazuar mbi shembullin e Bosnjës, marrëveshjeve të Dejtonit, një zgjidhje që do të krijonte entitete në Kosovë, kjo ndoshta do të kënaqte Serbinë. Megjithatë i takon qeverisë serbe të vendosë nëse është e kënaqur me këtë zgjidhje. Më e rëndësishmja: duhet të pranohet se çdo zgjidhje apo mungesë zgjidhjeje nuk do të ndikojë vetëm mbi Kosovën, por mbi të gjithë rajonin. Prandaj është e rëndësishme që politikanët e të dyja palëve të veprojnë me përgjegjshmëri dhe të kuptojnë se vendimet e tyre do të kenë rëndësi jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Evropën në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet e rëndësishme të bisedimeve do të jetë ajo e pakicave. Si e vlerësoni gjendjen e pakicave në Kosovë?

Obrad Kesiç: Çështja është si e kanë vlerësuar përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë raportet e tyre theksojnë dështimin e plotë në garantimin e të drejtave njerëzore e civile-bazë në Kosovë. Kjo është një nga ato tema për të cilat është e vështirë të flitet për sukses në bisedime për shkak të problemeve disavjeçare në këtë aspekt. Por në fund të fundit është jetike të krijohet besim tek pakicat, të cilat, pavarësisht nga rezultati i bisedimeve, do të vendosnin të qendronin e të jetonin në një shoqëri shumetnike, shumëfetare në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Në tavolinën e negociatave mund të shtrohet edhe çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. A e shihni këtë si kundërpeshë ndaj çështjes së pakicave serbe në Kosovë?

Obrad Kesiç: Sigurisht që është mjet politik, i cili tërheq vëmendjen tek fakti se kur serbët kërkojnë diçka në Kosovë, ata duhet të kenë parasysh se ka një pakicë shqiptare në Serbinë Jugore që kërkon të njëjtat gjëra, edhe nëse kërkesat nuk janë të njëjta. Por, themelorja është se ekzistojnë dy grup-çështjesh: si të krijohen garanci për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për pakicat, jo vetëm në Serbinë Jugore, por edhe në Kosovë. Se si arrihet më pas krijimi i një jete normale për njerëzit, kjo fillon pikësëpari me ekonominë. Dhe një nga problemet më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbinë Jugore, është se shumë njerëz janë të papunë, gjë që e shton mundësinë për konflikt dhe keqkuptime. Çështja është nëse bashkësia ndërkombëtare dhe, në veçanti, Bashkimi Evropian janë të përgatitur të nxisin ekonominë, si në Kosovë, ashtu edhe Serbinë Jugore. Dhe nëse po, atëherë kjo është shenjë e mirë dhe mund të bëhen përparime në çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Po flitet për përfshirje të përfaqësuesve serbë të Kosovës në ekipin negociator të Beogradit? Duke patur parasysh të gjitha mundësitë se si do të përfaqësoheshin ata në bisedime, a mendoni se përfshirja e tyre në ekipin e Beogradit është në interesin e tyre?

Obrad Kesiç: Në këtë fazë po, pasi tani mungon besimi i ndërsjellë dhe komunikimi ndërmjet shumicës dërmuese të serbëve në Kosovë dhe qeverisë së Prishtinës, udhëheqjes politike shqiptare. Kështu serbët kanë vetëm dy mundësi: të qendrojnë më vete apo të përfshihen në radhët e delegacionit të Beogradit? Nuk mendoj se bisedimet dëmtohen, po qe se serbët e Kosovës fillojnë me Beogradin, duke lënë të hapur mundësinë e shkëputjes më vonë, dhe, ndërsa bëhen përparime në çështje të tjera, ata do të ndjeheshin më të sigurtë për t’u shkëputur nga delegacioni i Serbisë. //az//

XS
SM
MD
LG