Lidhje

SHBA: Stillërs i Pitsburgut - kampion i Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan


Miliona shikues në Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë në mbarë botën ndoqën superbowl-in apo finalen e Ligës Profesioniste të Futbollit Amerikan që u luajt në Detroit ndërmjet Stillërs të Pitsburgut dhe Sihoks të Sietllit. Fitorja i buzëqeshi ekipit dhe tifozëve të Pitsburgut që festuan gjatë gjithë natës.

Shumë banorë të Pitsburgut mund të kenë shkuar të hënën disi vonë në punë. Ekipi i tyre i zemrës, Stillërs, u shpall kampion i Ligës Kombëtare të Futboolit Amerikan dhe festimet vazhduan gjatë gjithë natës së mëparshme. Ekipit kundërshtar, Sihoks, i duhet të presë tani deri në sezonin e ardhshëm për të synuar përsëri titullin kampion. Ndërkohë qyteti organizator i finales, Detroit, po merr përgëzimet më të mira për përgatitjet e bëra.

Tifozët e ekipit Stillërs e quajnë fitoren si një unazë për gishtin e madh, pas shpalljes pesë herë kampion. Në këtë finale Stillërs mundën Sihoks 21-10.

Pjesa e parë ishte me gabime nga të dyja palët.

Por pasi Rolling Stones pushtuan skenën në pushim të ndeshjes, Stillërs filluan koncertin e tyre në fushë.

Ky pasim finalizues nga Antuan Rendëll El për tek Uard Hajnes ishte një nga momentet më vendimtare në historinë e kampionateve të futbollit. “Nuk do ta realizoja pa atë pasim të mrekullueshëm!” – thotë Hajnes.

Në qytetin e Stillërs, Pitsburg, tifozët festonin kupën e parë të fituar pas 26 vjetësh, ndërkohë që policia ishte në gatishmëri të plotë.

Përsa i përket Detroitit, superbowl-i solli 100 mijë vizitorë. Bashkia shpenzoi rreth 3 miliardë dollarë për rigjallërimin e qendrës që qytetit me shpresën se kjo do t’i jepte një shtysë të fortë ekonomisë lokale.

Detroiti, gjithashtu, është qyteti i lindjes i njërit prej lojtarëve kryesorë të ekipit Stillërs, Xherome Betis me nofkën Autobusi. “Stacioni i fundit i Autobusit është këtu në Detroit”- thotë Betis.

Por ndërsa Bettis nuk do të kthehet më në fushë, kanë filluar tashmë diskutimet për përbërjen e të dy ekipeve sezonin e ardhshëm. //az//

XS
SM
MD
LG