Lidhje

Prokurori i Përgjithshëm në mbrojtje të programit të përgjimit nga administrata Bush


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Alberto Gonzales, po mbron programin e debatueshëm të përgjimit brenda vendit, duke thënë se ai është një mjet i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

Në dëshminë e tij para Komisionit Juridik të Senatit, zoti Gonzales, iu përgjegj shqetësimeve të shprehura nga anëtarët demokratë të Kongresit dhe disa republikanë, duke thënë se programi i përgjimit i zbatuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 nuk është i paligjshëm: “Programi i përgjigjimit në kuadrin e luftës kundër terrorit është i nevojshëm, i ligjshëm dhe në përputhje me respektimin e lirive që ne të gjithë gëzojmë”, tha zoti Gonzales.

Në diskutim është vendimi i Presidentit Bush për të urdhëruar, pa vendim të gjykatës, përgjimin e telefonatave ndërkombëtare dhe të e-maileve mes banorëve të Shteteve të Bashkuara dhe personave të dyshuar për terrorizëm jashtë vendit.

Ky program e anashkalon një gjykatë të posaçme federale që duhet të miratojë operacionet e brendëshme të përgjimit. Demokrati më me influencë në Komisionin juridik të Senatit, Senatori Patrich Leahy, nga Vermonti, ka qënë një nga kritikët më të fortë të këtij programi: “Në vend që të bëjë atë që Presidenti ka autorittein ta bëjë legalisht, ai ka vendosur ta bëjë atë ilegalisht, pa asnjë bazë ligjore”, tha zoti Leahy. Por zoti Gonzales argumentoi se Presidenti ka autoritetin kushtetues për të dhënë urdhër për përgjime pa vendim të gjykatës në interes të sigurimit kombëtar dhe shtoi se Kongresi i ka dhënë atij autoritetin ta bëjë një gjë të tillë kur miratoi rezolutën për përdorimin e forcës kundër arye që ishin përgjegjes për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Një numër ligjvënësish, duke përfshirë edhe kryetarin repubikan të komisonit juridik, Senatorin Arlen Specter nga Pensilvania, shprehën skepticizëm rreth argumentit të zotit Gonzales se Presidenti ka autoritetin të japë urdhër për përgjegjime në interes të sigurimit kombëtar: “Ju mendoni se keni të drejtë, por ka shumë njerëz që mendojnë se ju e keni gabim”. Senatori Specter sugjeroi që ligjishmëria e programit të shqyrtohet nga gjykata dhe zoti Gonzales tha se nuk ishte kundër një gjëje të tillë.

Ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Alberto Gonzales, luajti një rol kyç në përgatitjen e justifikimit ligjor për programin e përgjimit para se të bëhej Prokuror i Përgjithshëm. Ai nuk pranoi të diskutonte detajet operacionale të programit, duke thënë se një gjë e tillë do të vinte në rrezik jetën e amerikanëve. Mes atyre që po ndiqnin debatin ishin edhe anëtarë të familjeve të atyre që humbën jetën në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe në Pentagon. //rd//

XS
SM
MD
LG