Lidhje

Gonzales: Presidenti ka autoritetin ligjor për përgjimet pa paralajmërim


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Alberto Gonzales tha se Presidenti ka autoritetin ligjor për të urdhëruar hetime pa paralajmërim dhe përgjime telefonatash, përderisa al-Kaida përbën kërcënim për sigurimin kombëtar. Zoti Gonzales i bëri këto komente në një seancë të senatit amerikan mbi programin e debatueshëm të përgjimeve të brendshëm nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar.

"Sipas nenit 2, presidenti e ka për detyrë dhe ka autoritetin të mbrojë Amerikën nga sulmet". Prokurori i Përgjithshëm Gonzales citoi kështu kushtetutën për autoritetin e përgjimit pa një urdhër gjykate dhe mbrojti programin sekret të presidentit George Bush për përgjimin e brendshëm si një mjet të nevojshëm për të qëndruar një hap përpara armikut: "Terroristët përdorin rrjete televizive në mbarë botën për të komunikuar me forcat e tyre; postën elektronike, Internetin dhe telefonat celularë për të drejtuar operacionet e tyre; bile edhe akademitë tona të stërvitjes për të mësuar si të fluturojnë avionë për ti përdorur për sulme vetvrasëse. Për t’iu kundërvënë kësaj lufte jokonvencionale, ndërsa mbetemi të hapur dhe të angazhuar me pjesën tjetër të botës, duhet të ndjekim terroristët jashtë vendit dhe të zbulojmë qelulat e tyre këtu në vend", tha prokurori i përgjithshëm.

Përgjimi pa paralajmërim anashkalon Aktin për Survejimin e Zbulimit të Huaj. Ky akt i hartuar për kërkesat e sigurimit kombëtar për përgjime, kërkon që agjencitë të marrin autorizim nga gjykata para se të përgjojë komunikimet elektronike.

Por Shtëpia e Bardhë thotë se kjo procedurë mund të shkaktojë vonesa në parandalimin e sulmeve terroriste. Programi i përgjimit u mbajt mirë sekret deri në fund të vitit të kaluar kur shtypi u informua.

Senatori demokrat Patrick Leahy është anëtar me peshë i komisionit. "Administrata nuk i ka sugjeruar Kongresit ose popullit amerikan se Akti për Survejimin e Zbulimit të Huaj është i pamjaftueshëm apo i pavend. Nuk e bëri këtë derisa shtypi zbuloi shkeljen e statutit për përgjimin sekret të amerikanëve pa paralajmërim", thotë senatori Leahy.

Administrata e presidentit Bush thotë se programi i përgjimit ndiqet me kujdes dhe vë në shënjestër vetëm individë që dihet ose dyshohet të kenë lidhje me al-Kaidën.

Por kritikët shqetësohen se përgjimi mund të jetë më i zgjeruar. Kryetari i komisionit, senatori republikan Alen Specter thotë disa prej seancave mund të jenë sekrete: "Mund të ndodh që disa nga pyetjet që do t’i drejtojmë prokurorit të përgjithshëm të jenë çështje ligjore dhe ai mund të kërkojë një seancë me dyer të mbyllura. Në se e kërkon një gjë të tillë, sigurisht që do ta plotësojmë". Senatori Specter tha se seanca e komisionit të senatit është e para e disave që do të analizojnë kufijtë e pushtetit ekzekutiv të presidentit. //rd//

XS
SM
MD
LG