Lidhje

Shqipëri: Komuniteti mysliman dënon ashpër publikimin e karikaturave të profetit Muhamed


Në Shqipëri komuniteti Mysliman dënoi sot ashpër publikimin në një të përditshme daneze dhe më pas robotimin në disa të tjera gazeta evropiane të karikaturave të profetit të Islamit ,Muhamedit. Në një komunikatë të shpërndarë pasdite vonë shkruhet se këto publikime janë një fyerje e rëndë dhe provokim i ndjenjave të shenjta të myslimanëve. Nga ana tjetër, komuniteti mysliman shqiptar nuk është pajtuar me reagimet që kanë pasuar në shumë vende islamike. Në deklaratë thuhet se qëndrimi i myslimanëve duhet të jetë i matur, pasi besimi që ata përfaqësojnë nuk lejon që t'u përgjigjen këtyre sulmeve me të njëjtat armë Komuniteti mysliman ka reaguar në mënyrë të moderuar dhe të kujdesshme ndaj situatës së krijuar në shumë vende islamike të botës ku pas publikimit të kariakturave të profetit të Islamit Mouhamed shpërtheu një valë protestash kundër ambasadave të vendeve perëndimore.

Sot pasdite nga zyrat qëndrore të Komunitetit musliman në Shqipëri u shpërnda një deklaratë në të cilën dënohet ashpër publikimi i karikaturave të Muhamedit duke i konsideruar ato si një fyerje të rëndë dhe provokim të ndjenjave të shenjta të myslimanëve. Ofendimi i një personaliteti si Profeti Muahmed, vijon më tej deklarata, cënon thellë të drejtën e besimit dhe ofendimet ndaj figurës së tij konsiderohen si ofendime ndaj vlerave më të shenjta islame.

Në të vërtetë, në Shqipëri ky është reagimi i parë ndaj një çështjeje që sot është kthyer në një debat të gjerë botëror dhe që po shoqërphet me shumë probleme. Në selinë e Komunitetit Mysliman ka qenë dhe ambasadori i Danimarkës, i cili mesa duket ka dashur t’i paraprijë çdo të papriture jo të këndshme. Ai ka dorëzuar atje deklaratën e kryeministrit danez, ku është dënuar ajo çfarë është paraqitur në një të përditshme të vendit të tij. Komuniteti musliman shqiptar e ka konsideruar të matur dhe konstruktiv këtë qëndrim të kreut të qeverisë daneze.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e besimit mysliman shqiptar duket qartë se nuk pajtohen me protestat e dhunshme kundër ambasadave perëndimore në shumë vende islamike. Në deklaratën e tyre ata i drejtohen të gjithë myslimanëve, që të mos bien pre e provokimeve me qëllime dashakeqëse për Islamin, për të ardhmen e Evropës dhe për paqen në botë, shkruhet në tekst. Qëndrimi i muslimanëve duhet të jetë i matur vazhdon deklarata sipas së cilës besimi mysliman nuk lejon që sulmeve që i janë bërë kësaj feje t'i përgjigjen me të njejtat armë.

Shqipëria ka një popullsi, ku më shumë se gjysma e saj vlerësohet të jetë e besimit mysliman. Që prej vitit 1992 ajo është dhe anëtare e Konferencës së Vendeve Islamike, një çështje e cila ka shkaktuar debate të shumta politike në vend. Por dje Ministri i Jashtëm Spanjoll Miguel Moratinos, gjatë vizitës së tij në Tiranë, tha se i kishte kërkuar Ministrit të Jashtëm shqiptar, që si anëtar I Konferencës Islamike të përcillte atje mesazhe moderacioni, një deklaratë që u duk qartë se nuk u prit dhe fort mirë. Sot, të gjithë ish-ministrat e jashtëm të qeverisë socialiste u shprehën se Shqipëria nuk ka mundësi të marrë përsipër role të tilla dhe për më tepër, sipas tyre, as që nuk duhet të hyje në çështje të këtij karakteri.//lk

XS
SM
MD
LG