Lidhje

Projektbuxheti i qeverisë amerikane për vitin 2007 parashikon ndihma për vendet e Evropës Juglindore

  • Keida Kostreci

Në projekt-buxhetin e qeverisë amerikane për vitin 2007 parashikohet edhe ndihma për vendet e Evropën Juglindore. Shuma prej 273.9 milionë dollarësh e parashikuar për këto vende, sipas projekt-buxhetit të Departamentit të Shtetit, do të shërbejë për programe të luftës kundër krimit ndërkombëtar, trafiqeve dhe korrupsionit, për të ndërtuar ura sociale-ekonomike mes komuniteteve etnike dhe për të konsoliduar përparimin demokratik dhe ekonomik.

Në projekt-buxhet thuhet se ndihma amerikane do të vazhdojë të kontribuojë drejt mbylljes së ciklit të dhunës së viteve 1990, duke u përqendruar tek integrimi i Evropës Juglindore në komunitetin Euroatlantik me vlerat e demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive individuale. Demokracitë e brishta dhe ekonomitë ende të dobëta të këtij rajoni, thuhet në tekstin e projektit ende përfitojnë nga ndihma amerikane dhe nxitja e reformës demokratike dhe qendrueshmërisë, zhvillimit ekonomik dhe shtetit ligjor do t’i ndihmojë ato të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe të thellojnë marrëdhëniet e tyre me NATO-n.

Departamenti i Shtetit ka propozuar 20 milionë dollarë ndihma për Shqipërinë, duke thënë se ky vend përballet me sfida të vështira ekonomike dhe me dukurinë shumë të përhapur të krimit dhe korrupsionit. Megjithatë, thuhet në projket-buxhet, Shqipëria vazhdon të jetë një aleate e vendosur e Shteteve të Bashkuara, duke kontribuar në operacionet ushtarake në Afganistan dhe Irak. Ndihmat për vitin 2007 do të përqendrohen në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e sektorit privat. Po ashtu ndihma do të rrisë aftësinë e Shqipërisë në reformën në sektorin e shëndetësisë dhe në luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në projekt-buxhetin ku parashikohen 79 milionë dollarë për Kosovën, thuhet ky vit do të jetë kritik për Kosovën ndërkohë që ka filluar procesi i statusit përfundimtar. Fondet për vitin 2007 do ta ndihmojnë Kosovën që të kalojë gjithnjë e më shumë drejt vetëqeverisjes, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon t’ia kalojë të gjitha përgjegjësitë institucioneve të Kosovës. Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i negociatave të statusit, Shtetet e Bashkuara do të duhet t’i vazhdojnë programet e tyre kryesore të ndihmave, përfshirë konsolidimin e ministrive të Kosovës, zhvillimin e sistemit gjyqësor dhe të rendit, mbështetjen e qeverisjes lokale, medias dhe organizatave të shoqërisë civile, përparimin e reformës ekonomike dhe inkurajimin e Kosovës shumëetnike. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë gjithashtu të mbështesin një prani të policisë ndërkombëtare për të garantuar sigurinë derisa të konsolidohet ajo vendase.

Projekti parashikon 27 milionë dollarë për Maqedoninë, ku thuhet se stabiliteti dhe siguria janë përmirësuar dramatikisht që nga konflikti i vitit 2001. Në projekt-buxhet thuhet se ndihma duhet të vazhdojë për të garantuar zbatimin e plotë në praktikë në Marrëveshjes së Ohrit. Ndihma do të përqendrohet në luftën kundër krimit kufitar, forcimin e shtetit ligjor dhe përparimin e reformave makro-ekonomike për të siguruar të ardhmen e Maqedonisë në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.

Në projekt-buxhet parashikohen 31 milionë dollarë për Bosnje-Hercegovinën, 62 milionë për Serbinë dhe 8.5 milionë për Malin e Zi, 17.9 milionë për programin rajonal SEED që shërben për rivendosjen e lidhjeve mes vendeve të Evropës Juglindore, si edhe 28.5 milionë dollarë fonde për praninë e OSBE-së në vendet e rajonit.//lk

XS
SM
MD
LG