Lidhje

Politika pengesa kryesore e reformave në Shqipëri


Shqipëria i dha fund sot bisedimeve trevjeçare me Komisionin Evropian për marrëveshjen e stabilizim asocimit. Drejtori i Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, Reinhard Pribe dhe Ministrja shqiptare e Integrimit, Arenca Trashani sigluan sot tekstin e marrëveshjes. Faqja e parë ështe lënë bosh për t'u sigluar dhjetë ditë më pas nga Komisioneri për zgjerimin Olli Rehn dhe kryeministri Sali Berisha. Komisioneri Rehn do te jetë në Tiranë më 18 shkurt së bashku me Presidentin e Komisionit Evropian Emanuel Barozo në kuadër të një turneu rajonal në Ballkan. Me aktin e sotëm Shqipëria bën një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, ndonëse nga pikëpamja e procedurave ky ështe një aspekt teknik.

Intervistë e Drejtorit të Qendrës Evropiane dhe Pedagogut të së Drejtës Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, Ledi Bianku.

Zëri i Amerikës: Zoti Bianku, me aktin e sotëm, Shqipëria e kaloi fazën e parë të procesit, një fazë që zgjati rreth tre vjet. Cila është domethënia e siglimit të sotëm dhe cili është hapi tjetër në procesin e integrimit?

Ledi Bianku: Natyrisht që me aktin e sotëm iu dha fund të gjitha debateve nëse negociatat ishin mbyllur apo jo. Pra me parashtrimin që iu bë sot marrëveshjes nga ministrja Trashani dhe nga zoti Pribe më në fund e kemi të qartë se çfarë akti bazë kemi negociuar dhe çfarë akti do t'i nënshtrojmë nënshkrimit të ardhshëm, që do të jetë edhe teksti i marrëveshjes së stabilizim-asocimit. Pra më së fundi kemi rëndë dakort mbi tekstin mbi të cilin do regullohen marrëdhëniet në të ardhmen e afërt të Shqipërisë dhe të Bashkimit Evropian në këtë nivel.

Zëri i Amerikës: Cilat janë sipas jush sfidat kryesore, vështirësitë më të mëdha që duhet të kapërcejë vendi për të përmbyllur me sukses fazën e ardhshme?

Ledi Bianku: Natyrisht që unë do ta ndaja në dy aspekte. Së pari për një të ardhme jo shumë të largët, meraku kryesor është përfundimi me sukses sidomos nga ana e Bashkimit Evropian i ratifikimit të marrëveshjes së asocim-stabilizimit dhe ketë e them duke pasur parasysh edhe qëndrimet refraktare të disa shteteve anëtare vetëm javët e fundit, qëndrime të cilat për vetë natyrën e tyre shprehin një farë pasigurie ose një farë skepticizmi në garancitë e tyre për aftësinë e Shqipërisë për t’i përmbushur ato angazhime, që parashikohen në këtë marrëveshje që ne përafruam sot. Pra akti i parë është që vërtet t’i bindim që marrëveshja që ne pranuam dhe që do të nënshkruajmë së shpejti, ne e meritojmë, pra si vend i asociuar, e meritojmë, që vendet anëtare dhe pastaj dhe parlamenti evropian ta ratifikojnë në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi. Aspekti tjetër është zbatimi me shumë kujdes dhe me rigorozitet i marrëveshjes, aspekt që në një masë të madhe fillon edhe para hyrjes në fuqi në mënyrë të plotë të traktatit, pasi një pjesë e kësaj marrëveshjeje e asocim stabilizimit hyn në fuqi menjëherë, pra është një marrëveshje e përkohëshme. Duhet të jemi të kujdesshëm që edhe ratifikimin ta kërkojmë duke vërtetuar që ne për kaq po i zbatojmë ato dispozita që bëjnë pjesë në aspektin e ndërmjetëm të marrëveshjes, pra sidomos dispozitat që kanë të bëjnë me çështje tregëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Bianku, ju sapo përmendët një aspekt të rëndësishëm që ka qënë problematik në Shqipëri, gjatë gjithë kohës, zbatimi i marrëveshjes. Pra marrëveshjet ekzistojnë, por zbatimi i tyre është shumë problematik. Duke u nisur nga përvoja e së kaluarës, politika, përplasjet e brendshme, kanë qënë një element frenues i reformave. Çfarë përgjegjësish dalin tani para politikanëve shqiptarë? A mund të vazhdohet më me politikat e së kaluarës ?

Ledi Bianku: Edhe po të kemi parasysh periudhën kur pritej të hapeshin negociatat, pra sidomos në vitin 2001, zgjedhjet e 2001-shit dhe pastaj problemet në vjeshtën e 2001-shit përsa i përket qeverisë dhe krizës së brendëshme të Partisë Socialiste, edhe po të kemi parasysh shtyrjen e mbylljes së negociatave, ose më saktë zvarritjen e këtyre negociatave për një periudhë kaq të gjatë trevjeçare, ndërkohë që asnjë nga vendet e rajonit nuk e ka patur këtë zgjatje, kam përshtypjen se barra më e madhe i bie politikës. Ne në fakt kemi vuajtur më shumë nga kjo mungesë e stabilitetit politik dhe kjo është reflektuar pastaj edhe në negocimin e gjithë marrëveshjes ndërkohë që mund të negocioheshin aspektet teknike. Problemi ka qënë se partnerët tanë nuk ishin të bindur se politika jonë krijonte një mjedis të sigurtë, të pastër dhe ligjor të mjaftueshëm që këto rregulla të cilat ajo do të negocionte me ta, pra me partnerët evropianë, ishte në gjendje që të garantonte edhe zbatimin e tyre në terrenin aktual shqiptar sepse angazhimi është pikërisht ky. Përfaqësuesit tanë dhe politika në përgjithësi marrin përsipër që rregullat e lojës evropiane do ti bëjnë të zbatueshme dhe do të garantojnë zbatimin e tyre edhe në këto 28 mijë kilometra katrore të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG