Lidhje

Vazhdojnë protestat kundër botimit të karikaturave të profetit Muhamed


Mijëra besimtarë myslimanë në Indi, në Pakistan, në Afganistan, në Bangladesh, në Malajzi dhe në Lindjen e Mesme, i kanë vazhduar protestat kundër karikaturave shumë të debatuara të profetit Muhamed.

Në Indi, protesta më e madhe u zhvillua në rrugët e New Delhit, pas lutjeve të së premtes, mes thirrjeve “Vdekje Danimarkës” nga besimtarët myslimanë. Protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Indisë, si Srinagar, Lucknow, Kanpur, Bhopal, Aligarh, Ahmedabad dhe në Hubli.

Në Pakistan, mijëra njerëz demonstruan në Islamabad, në Karaçi, në Lahore, Peshawar dhe në Quetta. Disa mijëra të tjerë u mblodhën jashtë xhamisë kryesore të Dakës, dhe dogjën objekte që personifikonin arkivole, me emrat e Danimarkës, Italisë, Francës dhe Norvegjisë.

Në Afganistan, protestuesit u mblodhën në disa pika në Kabul. Protesta të ngjashme u zhvilluan në disa qytete të Lindjes së Mesme.

Policia në Kuala Lumpur të Malajzisë, tha se rreth dy mijë protestues marshuan nga një xhami drejt ambasadës daneze aty pranë, duke thirrur me zë të lartë parrulla kundër Izraelit dhe Perëndimit. Protesta u zhvillua ndërsa kryeministri malajzjan Abdullah Ahmad Badawi tha në një konferencë ndërkombëtare se bota myslimane dhe Perëndimi duhet t’i japin fund demonizimit të njëri tjetrit dhe “ta pranojnë njerit tjetrin si të barabartë”.//lk

XS
SM
MD
LG